Ballina Europë Të akuzuar se vepronin kundër rendit kushtetues, autoritetet gjermane bastisin revistën e...

Të akuzuar se vepronin kundër rendit kushtetues, autoritetet gjermane bastisin revistën e ekstremit të djathtë

61
0

Autoritetet në katër lande të Gjermanisë bastisën pronat e lidhura me revistën e ekstremit të djathtë, Compact, pasi Ministria e Brendshme e vendit ndaloi të martën botimin e saj, me arsyetimin se vepronte kundër rendit kushtetues.

Sipas një deklarate të ministrisë, bastisjet në pronat e revistës, si dhe në shtëpitë e figurave kryesore të saj në Brandenburg, Hese, Saksoni dhe Saksoni-Anhalt, kishin për qëllim sekuestrimin e aseteve dhe të provave të tjera.

“Kjo revistë nxit urrejtje kundër hebrenjve, njerëzve me histori migrimi dhe demokracisë sonë parlamentare, në një mënyrë të papërshkrueshme”, tha ministrja e Brendshme e Gjermanisë, Nancy Faeser.

Ndalesa, e cila zbatohet edhe për degën e Compactit, Conspect Film, ndalon çdo vazhdimësi të aktiviteteve të mëparshme.

Reuters raporton se kryeredaktori i revistës Compact, Juergen Elsaesser, nuk iu përgjigj kërkesës me email për të komentuar.