Ballina Ekonomia “Aktiviteti kreditues po rritet me ritme më të shpejta se ekonomia”/ BSH...

“Aktiviteti kreditues po rritet me ritme më të shpejta se ekonomia”/ BSH vë alarmin? Në horizont mund të shfaqet një krizë, bankat duhet të jenë të përgatitura

69
0

Në horizont mund të shfaqet një krizë dhe bankat duhet të jenë të përgatitura. Për herë të parë që nga viti 2019, Banka e Shqipërisë ka vendosur aplikimin e normës shtesë kundërciklike të kapitalit në nivelin 0.25 për qind nga zero aktualisht. Kjo do të thotë se 11 institucionet financiare në vend duhet të përfitojnë nga ditët e mira për të shtuar kapitalin rezervë. Nga ana tjetër, përmbushja e këtij detyrimi kufizon sektorin bankar në huadhënien “pa kriter” për shkak se një pjesë e parave do të jenë “të ngrira” në rast krize.

“Ky do duhet të jetë një proces i monitoruar nga afër nga Banak e Shqipërisë. Sistemi bankar në vend ka kaluar disa vite shumë të mira, dhe kërkesa për rritjen e kapitalit garantues duhet të përballohet nga këto të fundit, pa ndryshuar normat e interesit apo rritur kostot e shërbimeve”, tha Pano Soko, ekspert për ekonominë.

Vendimi i guvernatorit Gent Sejko në emër të Bankës Qendrore është argumentuar me faktin se këtë vit aktiviteti kreditues po rritet me ritme më të shpejta se ekonomia. Kjo ka bërë që hendeku i kredisë për ekonominë ndaj Prodhimit të Brendshëm bruto në tremujorin e parë të ngushtohet në 7.2 pikë përqindje nga gati 8 për qind në harkun e viteve 2009-2023.

“Bankat besoj se ka reaguar bazuar te dinamikat në treg duke qenë se sot tregu bankar është shumë i lidhur me tregun e real-estate, të pasurive të paluajtshme. Një stanjacion që ka ndodhur kohët e fundit në tregun e shitblerjes së pronave duket sikur ka ngritur flamujt e larmit pasi ekspozimi në këtë treg është shumë i lartë”, u shpreh eksperti.

Vendimi i Bankës Qendrore vjen duke u bazuar te rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar, në një kohë që kreditë me probleme janë në nivelet më të ulëta historike… vetëm 4.81 për qind në maj.

“Ekonomia është cikël në vetë-vete. Rritesh, bie, rritesh e bie sërish. Dhe progresi është aty mes rritjes dhe rënieve. Më shumë se sa një cikël i vetë ekonomisë, në rastin e Shqipërisë mendoj se jemi përballë një cikli korrektuar ndaj artificialitetit të tregut”, tha Soko.

Të dhënat nga Banka Qendrore tregojnë se kryesisht për blerje të pasurive të paluajtshme, bankat në vend dhanë mbi 150 miliardë lekë kredi. Ky është niveli më i lartë i huadhënies i shënuar në Shqipëri.