Filmi “Lulëkuqet mbi mure” me regji nga Dhimitër Anagnosti u shfaq këto mbrëmje në kinemanë verore të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave. Arkivi Qëndror Shtetëror i Filmit thotë se programi me filmat do të vijojë sërish në muajin shtator. “Edhe pse një mbrëmje e nxehtë, projeksioni i filmit të restauruar “Lulëkuqet mbi mure” u ndoq me interes nga dashamirët e filmit. Faleminderit të gjithë të pranishmëve në teatrin e hapur te Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave!Ri-shihemi aty në shtator, pas pushimeve!”, shprehet AQSHF që shton më tej se ndërkohë “Lulëkuqet mbi mure” dhe filmat e restauruar do të vijojnë turin nëpër Shqipëri me projeksionet open-air të Open Cinema -Kinemaja shëtitëse në Shqipëri.
Filmi “Lulëkuqet mbi mure” është një prodhim i vitit 1976 me regjisor Anagnostin, skenari i të cilit u bazua në romanin “Bonjakët” të shkrimtarit Petraq Qafëzezi. Ngjarja në filmin “Lulëkuqet mbi mure” zhvillohet në një nga jetimoret e Tiranës në vitet e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste gjatë Luftës së Dytë Botërore. Muzika e filmit është nga Kujtim Laro. Timo Flloko, Agim Qirjaqi, Kadri Roshi, Pavlina Mani, Alfred Kote, Liza Laska, Anastas Kristofori, Luan Qerimi, Enver Dauti, Enea Zhegu, etj, janë disa prej aktorëve në role.
Regjisori Dhimitër Anagnosti “Nderi i Kombit” në karrierën e tij ka realizuar filma artistikë, filma dokumentarë dhe është autor skenarësh. Filmi “Lulëkuqet mbi mure” u restaurua në studion Dabimus srl në Bari, me mbështetjen financiare të projektit “Sezoni i Filmave Klasikë” 2023 të ACE -Association des Cinematheques Europeennes i programit Creative Europe Desk- MEDIA.