Një 39-vjeçar është arrestuar nga policia në Shëngjin, pasi akuzohet nga autoritetet italiane se është bashkëpunëtor në trafikun e 110 kg kokaine.Personi u vu në pranga në kuadër të operacionit “Operacionalja 13”, ndërsa policia thotë se 39-vjeçari qëndronte me dokumente të falsifikuara ukrainase. Autoritetet gjyqësore në Itali i kanë caktuar 39-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”. Policia sqaron se po vijon bashkëpunimi me homologët, për ta ekstraduar këtë shtetas, në Itali.
Njoftimi i plotë:
Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH finalizoi operacionin policor të koduar “Operacionalja 13”. Qëndronte në Shëngjin, me dokumente ukrainase false, ndërkohë që kërkohej nga Italia, si bashkëpunëtor për trafikimin e 110 kilogramëve kokainë, kapet dhe vihet në pranga 39-vjeçari. Sekuestrohen dokumentet false. Si rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore dhe të shkëmbyera me partnerët në Itali, për vendndodhjen e një shtetasi shqiptar, të shpallur në kërkim ndërkombëtar, për llogari të Italisë, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, gjatë operacionit policor të koduar “Operacionalja 13”, kapi dhe vuri në pranga shtetasin S. B., 39 vjeç.
Autoritetet gjyqësore në Itali i kanë caktuar 39-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, pasi dyshohet së në bashkëpunim me të tjerë, ka trafikuar nga Belgjika, në Itali, 110 kg lëndë narkotike kokainë. Në momentin e arrestimit, në Shëngjin, shtetasi S. B. kishte me vete dokumente ukrainase, të dyshuara të falsifikuara, të cilat ia sekuestroi Policia. Vijon bashkëpunimi me homologët, për ta ekstraduar këtë shtetas, në Itali.