Policia e Tiranës ka vënë në pranga ditën e sotme një 32-vjeçar amerikan pasi iu sekuestrua një sasi kanabis dhe ‘psilocybine’ (kërpudha narkotike).
Njoftimi i policisë:
Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1, operacioni policor i koduar “Shrooms”.
Sekuestrohen sasi lënde të dyshuara narkotike kanabis dhe psilocybin (kërpudha magjike).
Arrestohet në flagrancë poseduesi i tyre.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, të mbështetura nga inteligjenca operative, kanë organizuar në drejtimin e Prokurorisë, operacionin policor të koduar “Shrooms”.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi amerikan A. U., 32 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar në parkun e liqenit artificial të Tiranës, shtetasin e lartpërmendur, të cilit gjatë kontrollit fizik dhe të banesës, i gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, lëndë të dyshuar narkotike kanabis dhe psilocybin (kërpudha magjike).
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.