Ballina Opinion Kjo qeveri u bë… çmendinë!

Kjo qeveri u bë… çmendinë!

34
0

Nga KImete Berisha 

Drejtësi e shkretë!

– Sipas Albulena Haxhiut, burgjet e Kosovës i ka marrë në dorë Serbia.

– Sipas ministreshës së Drejtësisë, Serbia po i liron nga burgjet e Kosovës të burgosurit shqiptarë dhe po u garanton atyre siguri dhe mbrojtje në Serbi!

– Pasi që kjo e ditka se Serbia i paska pushtuar burgjet e Kosovës, pse nuk e lajmëron rastin në polici, pse nuk e çon dikë në burgun e Smrekonicës, t’i thotë Serbisë ‘mos i liro të burgosurit shqiptarë’!

– Zyrtarisht Albulena Haxhiu po thotë se Serbia i ka pushtuar burgjet e Kosovës!

– Kjo është e tmerrshme!

Është shpallje e luftës!

Dhe është diçka edhe më e tmerrshme se lufta me Serbinë, është nxitje e luftës qytetare sepse, të burgosurit shqiptarë, sipas saj, janë bërë ‘ushtarë’ të Serbisë kundër Kosovës!

– Albin!

Kaq keq i ke punët?

– Albulena Haxhiu nuk beson se F.H. është vrarë në Serbi, prandaj është lëshuar në konspiracione dhe pasi që nuk i beson drejtësisë së Kosovës, ka kërkuar hetime ndërkombëtare për burgjet e Kosovës.

– Deri atëherë, sa të vendosin të huajt a është në rregull a jo që Serbia i ka marrë në dorë dhe po i mban peng burgjet e Kosovës, deri atëherë pra Serbia mund t’i mbajë burgjet e pushtuara dhe t’u ndihmojë shqiptarëve të ikin…

– Kjo qeveri u bë… çmendinë!

– Albulena Haxhiu duhet të shkarkohet jo që është e paditur, por se kjo qenka edhe e luajtur!

***

Albulena Haxhiu: Beogradi po organizon arratisjen e të burgosurve nga Kosova

Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu, ka bërë thirrje të shtunën për nisjen e një hetimi vendor dhe ndërkombëtar për, siç ka thënë ajo, nxitjen dhe organizimin e arratisjeve të të burgosurve nga burgjet e Kosovës për në territorin e Serbisë.

Sipas saj, shteti i Serbisë po cyt dhe organizon arritisjen e të burgosurve, paraburgosurve dhe të kërkuarve nga drejtësia e Kosovës, në këmbim të një “ambienti mburojë ndaj pandëshkueshmërisë e ndjekjes penale të kriminelëve nga organet e Republikës së Kosovës”.

“Një mbështetje e tillë është padyshim e qëllimshme, e organizuar dhe e lidhur me qëllimin për të dëmtuar rendin publik, kushtetues e ligjor të Republikës së Kosovës”, ka thënë Haxhiu, pa ofruar ndonjë dëshmi për këto pretendime.

Ajo e ka bërë këtë postim në rrjetin social Facebook, një ditë pasi i arratisuri nga burgu i Smrekonicës në Kosovë, Faton Hajrizi, është raportuar të jetë vrarë nga autoritetet në Serbi.

Hajrizi ka qenë në kërkim nga autoritetet serbe, pasi më 18 korrik është raportuar se e ka vrarë një zyrtar policor serb dhe e ka plagosur një tjetër, gjatë një kontrolli rutinor në Lloznicë të Serbisë, qytezë në afërsi me Bosnje-Hercegovinën.

Autoritetet e Serbisë e kanë konsideruar sulmin si terrorist dhe kanë nisur operacion të madh kërkimi.

Përveç Hajrizit – i cili ka pasur një histori të arratisjeve nga burgjet e Kosovës – në ditët e fundit në Kosovë është arratisur edhe një i burgosur tjetër, Ujkan Metaj.

Ministrja Haxhiu ka thënë se nuk dihet me siguri nëse Hajrizi është vrarë dhe nëse apo, a ka ndodhur akti në Serbi, apo në Republikën Sërpska të Bosnje-Hercegovinës.

“Domosdo nevojitet hetim i gjerë e i thellë, për të zbardhur të vërtetën e këtij rasti”, ka thënë ajo.

Haxhiu, gjithashtu, e ka dënuar përdorimin e etnisë nga ana e Qeverisë së Serbisë në rastin e vrasjes së policit serb.

“Kjo retorikë e Qeverisë në Beograd është paralajmërim për ngjarje të ardhshme të gatuara në Beograd e që kanë një perspektivë të qartë shoviniste dhe etno-politike”.

Thirrje për mospolitizim të rastit ka bërë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.