Ballina Politika Atentati me tre viktima në Memaliaj/ Myzafer Elezi: Kjo ngjarje tregon se...

Atentati me tre viktima në Memaliaj/ Myzafer Elezi: Kjo ngjarje tregon se qytetarët nuk mund të jenë të sigurt në jetën e përditshme, është e papranueshme

0
25

Atëtari i Kryesisë së Demokratëve Euroatlantikë, ka reaguar për ngjarjen e rëndë në Memaliaj ku humbën jetë tre qytetarë. Me anë të një postimi në facebook, Elezi shprehet se kjo ngjarje është një tjetër tregues i dështimit të qeverisë dhe Ministrisë së Brendshme për të garantuar sigurinë e qytetarëve të saj.

Ai gjithashtu shprehet se krimi ka marrë në dorë situatën e rendit në vend, ndërsa qeveria tregon paaftësi të plotë për të siguruar rendin dhe qetësinë për qytetarët. Sipas Elezit, ngjarje të tilla tregojnë se qytetarët nuk mund të ndihen të sigurt në jetën e përditshme, dhe kjo është e papranueshme.

Më poshtë postimi i plotë:

Të nderuar qytetarë,
Sot u zgjuam me lajmin e rëndë të një ngjarjeje tragjike të ndodhur në Memaliaj, ku tre persona janë vrarë dhe një tjetër është plagosur në një lokal në qendër të qytetit nga persona të paidentifikuar. Kjo është një ngjarje që trondit të gjithë qytetarët dhe kërkon një reagim të menjëhershëm dhe të vendosur nga institucionet përgjegjëse.

Në radhë të parë, shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjet e viktimave dhe uroj shërim të shpejtë për të plagosurin.
Por ngushëllimet nuk mjaftojnë.

Kjo ngjarje është një tjetër tregues i dështimit të qeverisë dhe Ministrisë së Brendshme për të garantuar sigurinë e qytetarëve të saj.
Krimi ka marrë në dorë situatën e rendit në vend, ndërsa qeveria tregon paaftësi të plotë për të siguruar rendin dhe qetësinë për qytetarët. Në 11 vite qeverisje, kjo qeveri është treguar e paaftë për të ofruar rend dhe siguri publike.

Ngjarje të tilla tregojnë se qytetarët nuk mund të ndihen të sigurt në jetën e përditshme, dhe kjo është e papranueshme.
Është ironike që vetëm ditën e djeshme, Ministri i Brendshëm prezantoi ndryshimet e ligjit për Policinë e Shtetit, një veprim që u kritikua gjerësisht nga opozita dhe shoqëria civile. Në vend që të përmirësojë sigurinë e qytetarëve, ky ndryshim ligjor duket se ka për qëllim rritjen e kontrollit të qeverisë mbi policinë, duke e larguar më tej nga misioni i saj kryesor – mbrojtja e jetës dhe pronës së qytetarëve.

* Pse nuk janë marrë masa të mjaftueshme për të parandaluar këto krime të tmerrshme?
* Ku janë patrullat policore që duhet të sigurojnë rendin dhe qetësinë në komunitet?
* Pse duhet të jetojmë me frikë për jetën tonë dhe të afërmve tanë?

Veçanërisht në sezonin e verës, kur vendi ynë pret një numër të madh turistësh, ngjarje të tilla janë një goditje e rëndë për imazhin e Shqipërisë. Turistët vijnë për të shijuar bukuritë natyrore dhe kulturën tonë, por në vend të kësaj, ata përballen me terror dhe pasiguri. Kjo është e papranueshme dhe tregon një dështim të plotë të qeverisë për të ofruar siguri.
Një qeveri e korruptuar, me ministra dhe ish-ministra në burg, nuk mund të jetë e besueshme për qytetarët dhe as e aftë për të vendosur rend dhe për të luftuar krimin.
Korrupsioni në nivelet më të larta të qeverisjes është një tjetër tregues i dështimit të kësaj qeverie për të mbrojtur qytetarët dhe për të ofruar një mjedis të sigurt dhe të drejtë për të gjithë.

Në emër të Partisë Demokratike – Demokratët Euroatlantikë kërkojmë një hetim të plotë dhe të pavarur mbi këtë ngjarje, dhe kapjen e menjëhershme të autorëve të këtij krimi të rëndë. Po ashtu, kërkoj që të rishikohen dhe forcohen politikat e sigurisë për të siguruar që ngjarje të tilla të mos përsëriten më kurrë.
Qeveria dhe Ministria e Brendshme duhet të mbajnë përgjegjësi për këtë gjendje alarmante dhe të ndërmarrin masa të menjëhershme për të përmirësuar situatën e sigurisë publike. Ndryshimet ligjore që janë bërë duhet të rishikohen dhe të sigurohet që çdo veprim i marrë është në interesin e mbrojtjes së qytetarëve, dhe jo për qëllime politike.
Mjaft më me propagandë dhe premtime boshe.