Ballina Opinion Në çfarë duhet të besojnë shqiptarët?

Në çfarë duhet të besojnë shqiptarët?

31
0

Shqiptarët duhet të besojnë te vetvetja e tyre, duhet të besojnë te fuqia dhe forca e vet; duhet të besojnë, ta duan njëri-tjetrin dhe të qëndrojnë besnik mes vete dhe të mos tradhtojnë për interesa të ngushta politike, personale, për interesa pushteti e korrupsioni. Kurrë shqiptarët nuk kanë pasur miq të huaj të sinqertë sepse të huajt shohin vetëm interesat e tyre, dhe prej të huajve gjithmonë kanë pësuar dhe vazhdojnë e pësojnë pabesi dhe padrejtësi shqiptarët.

Pse gjithmonë shqiptarët janë tradhtuar nga të huajt?

Janë tradhtuar nga të huajt sepse kot sa u kanë besuar atyre, dhe të huajt kanë gjetur gjithmonë tradhti dhe tradhtarë mes shqiptarëve.

A nuk po vertertohet kjo edhe sot kur edhe ata jo pak perendimorë shtete, shtetarë e politikanë, diplomatë, ambasadorë, presidentë e kryeministra, emisarë e gjithcfarë sot pas 25 vitesh në kohën kur po ndryshojnë rrethanat dhe kur atyre ua don interesi ekonomik, politik e strategjik  ,ata shohin vetëm interesat e veta dhe nuk është se shqetësohen për shqiptarët dhe për Kosovën, por madje edhe dalin kundër interesave të shqiptarëve.

Shqiptarët duhet të ndërtojnë shtetin ligjor dhe të drejtë, të barabartë për të gjithë,ku askush të mos jetë mbi ligjin dhe as mbi interesat kombëtare, sepse vetëm kështu krijohet besimi te shteti dhe forcohet shpresa se bëhet gjithnjë e me mirë për mirëqenien dhe për lumturinë e shoqërisë. Shqiptarët duhet ta ndërtojnë demokracinë dhe t’i besojnë me guxim demokracisë së vërtetë, vlerave dhe parimeve të larta njerëzore e kombëtare dhe jo demokracisë mashtruese qoftë edhe asaj perëndimore e cila ka si devizë po atë devizë që e kanë pasur evropianet në kohën e kryqëzatave, para zbulimeve të mëdha gjeografike dhe pas tyre si imperializëm e kolonizim të kontinenteve, si devizë të dy luftërave botërore e që kjo deviza e tyre është interesi, është paraja, dhe sundimi e shfrytëzim i popujve dhe te pasurive natyrore të botes. Dhe për këto qëllime perëndimi ka përdorur të gjitha mjetet, luftrat, mashtrimet, bombat, tanket e raketat. Dhe prandaj nuk është për t’i besuar verbërisht askujt. Duhet besuar atyre që u qëndrojnë besnik shqiptarëve; dhe ata që na duan për interesa të veta, t’u tregojnë e themi atyre se edhe shqiptarët të parën kanë Shqipërinë dhe interesat shqiptare. Gjithçka reciprokisht.

Shqiptarët duhet të jenë besimtarë dhe të besojnë Krijuesin e Plotfuqishëm, Librat e Shenjtë, Fenë e Drejtë, të Vërtetë; të besojnë Fenë e cila e shenjtëron njeriun, dinjitetin, personalitetin dhe moralitetin njerëzor. Shqipëria në komunizëm u shpall shtet ateist. Shqiptarët duhet të besojnë Fenë e Vërtetë që mbron familjen dhe shoqërinë dhe që nuk e lë njeriun dhe shoqërinë që të rrëshqasë në degradim e shthurje; duhet besim në Fenë që ndalon alkoolin e drogën, imoralitetin, bixhozin, jetën e lakuriqësisë e të natës; që i thotë jo dëfrimit të shfrenuar, divorcit të paarsyeshëm, prishjes së familjes, që i thotë jo largimit dhe braktisjes së prindërve, korrupsionit, jo martesave brenda gjinisë dhe pandjesisë humane.

Duhet besuar Krijuesi i Plotfuqishëm, i Cili ka krijuar universin, jetën dhe popujt e kombet.

Të ruajmë gjuhën, trashëgiminë dhe traditat e vyera kombëtare që na dallojnë nga të tjerët, dhe të besojmë e falënderojmë Zotin, sepse nëse një komb largohet nga traditat e veta dhe nëse populli largohet nga besimi atëherë çfarë i mbetet atij.