Prof. Dr. Hivzi Muharremi
Sot, me datën 23 korrik është ditëlindja e 74 e piktorit Mustafa Arapit i cili ndërroi jetë me 21 janar të vitit 2021, në kohën më të frytshme të krijimtarisë së tij artistike. Piktori, profesori dhe restauruesi i njohur i veprave të artit, Mustafa Arapi, është ndarë nga jeta në moshën 71-vjeçare. Në kohën kur Pandemia e kishte përfshi tërë rruzullin tokësor, në kohën më të brishtë dhe më tragjik të tërë popullatës anekënd botës. Pra, kjo periudhë ishte tragjike edhe për shumë intelektual të moshave të ndryshme edhe nga trevat shqiptare ku kanë jetuar, frymuar dhe krijuar ekspert të profesioneve të ndryshme nga fusha e shkencës, mjekësisë dhe artit në përgjithësi. Një fat të tillë tragjik e përjetoi edhe krijuesi, artisti, profesori Mustafa Arapi, pikërisht në kohën më të vrullshme të krijimtarisë së tij artistike i cili me një devotshmëri të madhe i ishte qasur restaurimit të objekteve kishtare-kishave dhe monumenteve të tjera nga periudhat e ndryshme historike të trashëgimisë kulturore. Ai në vijimësi dhe pa ndërprerje e vazhdoi punën e tij artistike të zhanreve të shumta nga fusha artistike-pikturale, duke filluar nga restaurimi i veprave të artit bizantin, ku ka realizuar me qindra metra katror afreske, si në kishën e Shën Marisë në Vllahogoranci të piktor Onufrit Qipriotit dhe Alivizit, të Kishës së Shën Thanasit në Karavasta, dhe në shumë qytete të tjera.
Përveç afreskeve është marr edhe me restaurimin e ikonave dhe tavaneve dekorative të kishave si në: Himarë, të kishës së Shën Kollit në Grabovë. Poashtu është marrë edhe me restaurimin e shumë mozaikëve në kisha të ndryshme të trevave shqiptare. Pra, opusi i tij krijues ka qenë shumë i nduarnduartë që nga faza e hershme, e pikënisjes artistike si një talent me një prirje të jashtëzakonshme pikturale që i është shpërfaq që nga faza e studimeve të Akademisë së Arteve e deri në frymën e fundit të jetës së tij artistike e kreative, ku njëherë e përgjithmonë ndahet nga jeta, piktura, nga ngjyrat dhe materialet tjera artistike me të cilët ishte i inkarnuar, i përjetonte dhe me emocionin më të thellë shpirtëror i transpononte si në telajo poashtu edhe në muret e kishave dhe objekteve të tjera të trashëgimisë kulturo – historike në trevat shqiptare. Gjithnjë dhe me pasion të madh i është qasur stilit dhe frymës bizantine dhe postbizantine të kompozimeve të shumta, veçanërisht gjatë restaurimit të veprave të dëmtuara nga kishat e këtij stili të realizuar nga piktorët më të famshëm shqiptar. Talenti i Mustafa Arapit i cili ka qenë i njohur për artistet e të gjitha zhanreve me pseudonimin Faja siç them edhe në fillim në mënyrë të pandërprerë ka realizuar vepra të shumta nga zhanret e ndryshme të artit, përkatësisht i është qasur stileve artistike duke filluar realizmi, impresionizmi, postimpresionizmi e deri të fryma e re e introduktit modern dhe post-modern. Pra bota e tij artistike ka qenë e nduarnduart e veçanërisht spikat ana koloristike e veprave duke filluar nga ato të hershmet e deri të pikturat moderne, Piktori Faja rëndësi të madhe gjithnjë e më shumë i ka kushtuar elementit të ngjyrë, dritës dhe formës në këtë trikonomi piktori e mbar shtron tërë fabulën kompozicionale duke e vërë në spikamë strukturën koloristike të kompozicionit, përkatësisht kompozimeve të realizuar nga pleneri i ambienteve të ndryshme ku ka qëndruar për një kohë më të shkurtër apo më të gjatë. Ka qenë shumë aktiv në manifestime të ndryshme që janë organizuar nga Shoqatat e Artistëve të Arteve Pamore apo nga Institucionet tjera artistike. Kjo padyshim, që ka ndikuar edhe në vet opusin krijues të piktorit. Veprat e tia kanë përfituar një burim-frymëzim të trevave gjithëkombëtare, një kolorit të nduarnduart të imazheve të atyre trevave apo të ambienteve ku ka pikturuar. Pra, kur sot i shpalosim dhe i shikojmë veprat e piktorit ne lirisht mund ta quajmë piktor me një vizion dhe me një botë shumë interesante dhe karakteristike të veprave nga pikturimi i frymës bizantine e deri tek ajo abstrakte moderne të ekspresionizmit abstrakt me primesa të surrealizmit.
Apo siç shprehet për veprat e piktorit Mustafa Arapi kritiku i artit Prof. Dr. Ilir Muharremi për krijimtarin artistike të piktorit…”Brusha e tij ishte filozofi e brendshme e shpirtit me plot tregime. Janë tregime të ngjeshura me ngjyrë u bën pjalm, ndjesi dhe pikturë e në këtë pikturë që pak kush ka vënë re forma çudake nga infiniti, mistike, lojë nga agnostikja drejt një labirinthi të realiteteve nga ëndrrat e në esencë eshtrat dhe tuli i tyre dukej real. Këto forma janë tej konkretes, reales, aspak të rëndomta, poetike që i bashkon surrealja.