Ballina Aktualitet Prokuroria e Tiranës shpall moskompetencën për 21 Janarin, ia dërgon dosjen SPAK-ut

Prokuroria e Tiranës shpall moskompetencën për 21 Janarin, ia dërgon dosjen SPAK-ut

16
0

Prokuroria e Tiranës ka shpallur moskompetencë për 21 Janarin dhe ia ka dërguar dosjen hetimore Prokurorisë së Posaçme, e cila tashmë po kryen hetimet për vrasje shtetërore pas vendimit të Gjykatës së Lartë. Pas vendimit të Strasburgut, Gjykata e Lartë i kërkoi SPAK të sqarojë rolin e Bashës, Berishës dhe Prendit.

Dosja ishte hapur në Prokurorinë e Tiranës për vrasjen e Aleks Nikës. Ndër provat që është dorëzuar SPAK-ut është edhe plumbi që i ka marrë jetën Aleks Nikës, i cili është dërguar për ekspertizë në Itali. Prokuroria e Posaçme ka nisur punën intensive për zbardhjen e një prej krimeve më të rënda në historinë e vendit, 4 vrasjet shtetërore të 21 janarit. Në SPAK janë thirrur Rajmonda Nika dhe Mark Nika, bashkëshortja dhe xhaxhai i Aleks Nikës.

Rajmonda dëshmoi për 3 orë e pasi doli fjalëpak për mediat, tha se ka folur edhe për fakte të reja para oficerëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Një ditë më vonë më 23 korrik, u thirr në SPAK, Ndrea Prendi ish-kreu i Gardës në janarin e vitit 2011. Prendi u mor në pyetje për rreth 3 orë e 30 minuta. Ndrea Prendi, për të cilin është vërtetuar me vendim gjykate se me armën e shtetit i ka marrë jetën të paktën njërit prej të vrarëve Faik Myrtajt, nuk pranoi të jepte detaje për mediat para SPAK.

Vrasja e Nikës është pa autor pasi drejtësia shqiptare s’ka mundur të faktojë se nga cila armë u qëllua. Nga hetimet e prokurorisë, ka rezultuar se nga pistoleta ‘Beretta model 92-FS me numer P52796Z’, në përdorim nga Komandanti i Gardës asokohe Ndrea Prendi, është qëlluar 11 herë. Ndërkaq, vetëm një herë është qëlluar me pistoletën me armën në përdorim nga shoferi i Prendit. Sipas hetimeve, tyta e pistoletës së Ndrea Prendit është ndryshuar me tytën e pistoletës së shoferit të tij.

Pas Ndrea Prendit në shkallët e SPAK për të dhënë llogari për rolin e tyre me 21 janar pritet të paraqiten edhe ish Kryeministri Berisha dhe ish ministri i Brendshëm Lulzim Basha.