Ballina Kosovë Qeveria flet për ulje të papunësisë, opozita thotë se meritat i ka...

Qeveria flet për ulje të papunësisë, opozita thotë se meritat i ka Gjermania

30
0

Opozita në Kosovë akuzoi qeverinë për, siç tha, manipulim me shifrat e të punësuarve në Kosovë duke paralajëmruar se shifrat e të punësuarve janë rritur për shkak të ikjes së qytetarëve. Deklaratat u bënë pasi zëvendëskryeministri Besnik Bislimi foli për rënie të papunësisë dhe zhvillim ekonomik. Njohës të fushës së ekonomisë thonë se në një kohë kur mungojnë investimet e huaja dhe ka zero zhvillim ekonomik është e pakuptueshme të flasim për rritje të punësimit.

Në një publikim të tij në rrjetin social Facebook, zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi, shkroi se Kosova në tre muajt e fundit të vitit 2023 uli papunësinë për rreth 1 për qind, në krahasim me tre muajt e fundit të vitit 2022. Bislimi iu referua shifrave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

“Në të dhënat më të fundit të publikuara nga ASK-ja, mbi shkallën e papunësisë në tre mujorin e fundit të vitit 2023, konstatohet se ka patur një rënie të mëtejme të papunësisë nga 11.8% në të njëjtën periudhë të vitit paraprak, në 10.7%. Në tri vitet e fundit, indikatorët ekonomikë kanë njohur përmirësime të konsiderueshme dhe rritje të shpejtë. Më shumë punësim, më shumë zhvillim. Kosova është në rrugën e drejtë të zhvillimit dhe një të ardhmeje prosperuese”, ka shkruar ai.

Agjencia e Statistikave pas regjistrimit të popullatës tha se Kosova aktualisht ka 1.6 milionë banorë, nga rreth 1.8 milionë sa kishte në vitin 2011. Ajo tha se që nga viti 2016 kur Gjermania nisi të lehtësojë procedurat për viza pune, mbi 200 mijë qytetarë u larguan nga Kosova, por në këto të dhëna nuk përfshihen ata të cilët qëndrojnë në mënyrë ilegale në vendet perëndimore apo ata të cilët u pajisën me pasaporta të shteteve të huaja përfshirë edhe atë të Serbisë.

Në këtë rrafsh deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, thotë se shifrat që paraqet qeveria janë meritë e shtetit gjerman.

“Këta qytetarë u punësuan në Gjermani dhe këta po marrin meritat për vete nuk i kuptoj ka zero investime dhe flasin për punësim. Të dhënat e Agjencionit të punësimit u fshinë nga faqja zyrtare dhe nuk e dijmë sa persona kërkojnë punë në Kosovë pra jemi pa të dhëna. Por ajo që dihet është që e di sigurt vetëm profesionist shëndetësor janë mbi 3mijë që kanë ikur dhe normal që kto ikje në përqindje zbriten dhe me statistika këta dalin të parët pra thjesht manipulojnë me shifra”, tha Haxhiu për rtv21.

Por, akuzat e opozitës për manipulim me shifra, nuk i bëjnë përshtypje ministrit të financave Hekuran Muratit.

Sipas tij vetëm me masat e ndërmarra nga qeveria u punësuan mbi 20 mijë qytetarë.

“I kam dëgju shpesh këto akuza, t’them të drejtën janë paradoks në vete nuk po flasim për ikje të qytetarëve po flasim për vende të reja pune me masat e qeverisë janë mbi 20 mijë qytetar që janë punësuar, pra me super punën, financimin për punësimin e grave, mbështetjen për të rinjë. Mos të flas për subvencionet në Bujqësi ku edhe aty kemi rritje edhe në punësim por tash edhe në prodhim”, tha Murati.

Në anën tjetër profesori i ekonomisë Safet Gërxhaliu, thotë se Kosova po ballafaqohet me një ikje në heshtje të qytetarëve dhe rënie të vazhdueshme të konsumit. Gjë kjo që bie ndesh me statistikat që flet qeveria.

“Nuk e kuptoj si dalin këto shifra kur kemi 0 investime të huaja kemi vazhdimisht raporte negative jemi nën masa të BE-së nuk mund ta kuptoj se si u ulë papunësia në Kosovë, Përveç që ka rënie të eksportit ne kemi edhe rënie të importit sepse po bie konsumi andaj të flasësh për ulje të papunësisë është e pakuptimte e vetmja gjë që mund të kuptojmë këtu është se janë deklarata në një kohë kur jemi në prag të zgjedhjeve dhe rëndom partitë lëshohen në këso deklarimesh”, tha Gërxhaliu.

Mbi 1.1 milionë qytetarë të Kosovës janë në moshë pune, tha Agjencia e statistikave dhe sipas saj në fund të vitit 2023 u regjistruan si të punësuar mbi 440 mijë qytetarë. Shkalla e papunësisë në vend për vitin 2023 është 10.7 për qind.