Ballina Kulturë Beci: Përfundon restaurimi dhe ndriçimi i Urës së Mesit në Shkodër

Beci: Përfundon restaurimi dhe ndriçimi i Urës së Mesit në Shkodër

27
0

Në Shkodër ka përfunduar rikonstruksioni dhe ndriçimi i Urës së Mesit, monument kulture.

Lajmi u bë i ditur nga kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci në një postim në rrjetet sociale.

Ura e Mesit, e ndodhur 8 km larg Shkodrës mbi lumin Kir iu nënshtrua rehabilitimit me një investim nga qeveria shqiptare dhe nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në pjesën hyrëse, si dhe u krye sistemimi me kanale të shkarkimit të ujërave të shiut, por edhe kapuçimin e të gjithë parapetit të urës në të dy krahët e saj.

Pjesë e projektit ishte edhe ndriçimi i Urës së Mesit. Gjithashtu ndërhyrje është bërë edhe në pjesën shkëmbore në të dyja bazamentet e harkut të madh të Urës së Mesit.

E ndërtuar në vitin 1768 nga Mehmet Pashë Bushati, ura me kurriz që ndodhet mbi lumin Kir shërbente për të lidhur Drishtin me Shkodrën. Duke qenë një monument me vlera të mëdha arkitektonike e teknike, kjo urë është një objekt që tërheq vizitorë të shumtë.

Me gjatësi 108 metra, gjerësi 3.40 metra dhe me 13 harqe josimetrike, për ndërtimin e Urës së Mesit,janë përdorur gurë të latuar, ndërsa traseja është bërë me pllaka guri.

Vlerat e kësaj ure shtohen dhe nga terreni piktoresk pranë saj me shkëmbinj dhe ujin e pastër.