Ballina Kosovë Gazetari i BBC-së flet për përgjigjen e Ibrahim Rugovës kur u pyet...

Gazetari i BBC-së flet për përgjigjen e Ibrahim Rugovës kur u pyet për UÇK-në

17
0

Korrespondenti i BBC-së gjatë luftës në Kosovë, David Loyn, ka folur rrëfen eksperiencën e tij në raportimin nga lufta në Kosovë, duke përmendur edhe pyetjen që kishte bërë Ibrahim Rugovës në njërën nga konferencat për shtyp.

Gjatë intervistës  është transmetuar një kronikë e shkurtër e realizuar nga Loyn për BBC në të cilën shihet presidenti tashmë i ndjerë, Ibrahim Rugova, në njërën nga konferencat e tij të mbajtura gjatë periudhës së luftës në Kosovë.

Rugova ishte pyetur nga Loyn në atë kohë se “Si do ta përfshini UÇK-në në procesin e paqes?”

“Për grupin që e përmendni ju jam duke bërë hulumtime se kush janë ata, nëse ekzistojnë apo është lojë serbe. Gjenerator kryesor i dhunës në Kosovë është Serbia”, ishte përgjigjur Rugova.

Loyn thotë se Rugova qartazi nuk dëshironte të fliste fare për UÇK-në në atë kohë.

“Një gjë e jashtëzakonshme këtu është fakti se ai qartazi nuk dëshironte të fliste fare për UÇK-në. Dhe kishte një qasje të tipit ‘Nuk jam shumë i sigurt se kush janë këta njerëz’. Kjo vetëm dëshmonte shkarjen dhe faktin se kjo nuk ishte luftë e përbashkët”, thotë Lyon gjatë intervistës në “Kallxo Përnime”.

Loyn, i cili nuk ka qenë në Kosovë që nga përfundimi i luftës, thotë se është i emocionuar dhe frymëzuar kur sheh Kosovën e pavarur dhe sovrane.

Korrespondenti nga BBC thotë se ishte i ‘goditur’ nga çmenduria që forcat serbe në krye me Slobodan Millosheviq po përpiqeshin të bënin në Kosovë.

“… dukej se po provokonte reagimin i cili në fakt erdhi një vit më vonë”, thotë Loyn.

Loyn theksoi rëndësinë e raportimeve nga mediat ndërkombëtare mbi luftën në Kosovë.

“Komuniteti ndërkombëtar nuk po shikonte. Po e them shumë troç po të mos ishin gjërat që kemi parë ne si shtypjen e tmerrshme të njerëzve, masakrat ndaj civilëve si dhe guximin dhe zgjuarsinë e të rinjve dhe të rejave që luftuan …”, thotë ai.