Ballina Opinion Kompromisi më i çuditshëm: Mbaje qeverinë, më ler shef të opozitës!

Kompromisi më i çuditshëm: Mbaje qeverinë, më ler shef të opozitës!

42
0

Nga Skënder Minxhozi

Një deputet i opozitës, teksa të premten diskutohej formula e re e ndarjes së mandateve parlamentare në kodin zgjedhor, ju “lut” hapur Edi Ramës që të mos dilte fare në fushatë. I ke fituar që tani zgjedhjet, u shpreh deputeti i cili nuk njihet as si i butë me qeverinë dhe as si servil i Lulzim Bashës.

Megjithatë Sali Berisha as që do ta dëgjojë deputetin e partisë së tij. Berisha nuk dëgjon më askënd që i thotë të hapë partinë dhe t’i japë hapësirë garës. Personi që e ndërtoi Foltoren, dy vjet të shkuara, me premtimin për primare, hapje partie dhe votime të bazuara në meritokraci, sot i ka shtrënguar dorën Ramës në tryezën e reformës zgjedhore, mbi paktin më të habitshëm që është parë ndonjëherë: mbaje pushtetin për të katërtën herë rresht, vetëm më ler ta kontrolloj siç dua Partinë Demokratike, meqë mora dhe vulën e stemën me vendim gjykate!

Marrëveshja e fundit për formulën e përllogaritjes së mandateve shënon një triumf të radhës të statu-quosë mbi zgjedhjet politike në Shqipëri. Njëqind deputetë të Kuvendit, nga 140 të tillë, do të zgjidhen (emërohen më saktë) nga partitë e mëdha shumë kohë para ditës së votimit. Do të shkohet në zgjedhje për listën e mbetur prej rreth 40 mandatesh, çka e bën të paracaktuar jo vetëm përbërjen e parlamentit, por edhe fituesin e ardhshëm të zgjedhjeve.

Rrallë është parë një reagim kaq i hidhur e i pezmatuar i një pjese të deputetëve të opozitës, por edhe zyrtarëve të tjerë të saj jashtë parlamentit dhe mediave që orbitojnë rreth të djathtës, në lidhje me kompromisin zgjedhor. Rrallë është vërejtur një ndjesi kaq e përhapur vetëdorëzimi dhe dëshpërimi në shtëpinë e opozitës shqiptare, teksa vendi bëhet gati t’i drejtohet votimeve parlamentare vitin tjetër (nëse Ramës nuk i lind idea të provokojë zgjedhje të parakohshme gjatë rrugës).

Nëse ka pasur një palë që duhej të ishte e interesuar për të thyer stanjacionin demokratik dhe të lëvizte nga vendi ujrat e ndenjura të politikës që startojnë nga rregullat e zgjedhjeve, si parakusht për fitore, kjo ka qenë dhe është opozita. Duhej të ishte ajo që duhet të provokonte shkundjen e kodit zgjedhor, duke kërkuar garë direkte me qeverinë dhe duke hapur listat. Dhe opozita pasur kohë me pash për ta peshuar e matur nga të gjitha anët negociatën me qeverinë për zgjedhjet. Aq më shumë që Gjykata Kushtetuese kishte vendosur piketa të qarta në këtë drejtim.

Duhet të ishte Berisha ai që duhej të kishte dërguar në tryezë propozime konkrete për rritjen e transparencës së fushatës, fondeve të saj, në vend që të reklamonte lista të mbyllura që sigurojnë pushtetin e shefit dhe poltronat e servilëve, por asfiksojnë çdo premisë për rritjen e interesit të votuesve për programin e opozitës, kandidatët dhe ofertën e saj elektorale. Fjalë të kota për cilindo që e njeh mirë Sali Berishën dhe etjen e tij për ta mbajtur PD si ta kishte një biznes privat.

Duke mbajtur në këmbë sistemin zgjedhor kështu siç ka qenë prej më shumë se një dekade, Sali Berisha i ka bërë shërbimin më të mirë të mundshëm Edi Ramës. I cili veç në qoftë i çmendur të ndryshojë rregullat e lojës që janë provuar shumë herë se e nxjerrin fitues në dekadën e fundit.

Ndryshimet e fundit në kodin zgjedhor kanë sjellë më në fund një dritë shprese për votën e emigrantëve, si dhe kanë rritur përfaqësimin gjinor. Nëse ka qenë vetëm ky qëllimi i opozitës kur është ulur në tryezë me qeverinë, atëhere ajo mund të ndjehet e kënaqur. Por ndërsa kodi hap dyert për votën e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, ai ja ka mbyllur, mesa shihet, edhe një herë tjetër derën opozitës shqiptare për të aspiruar për fitore pas 12 vjetësh qëndrimi në pakicë.

E vetmja notë “pozitive”: Doktori mbajti pushtet të plotë mbi fletën e bardhë ku do të hidhen emrat e kandidatëve që do ta kenë të sigurt postin edhe në Kuvendin e ardhshëm!