Një pushues me inicialet D.B. ka denoncuar një rast të keqpërdorimit në Ksamil të Shqipërisë. Siç pretendon ky pushues, punëtorë në hotelin Denoel kanë trajtuar çnjerëzisht pushuesit nga Kosova atje.
D.B. ka dërguar në adresë të Insajderit ankesën, ku pretendohet se punonjësit e hotelit që gjendeshin në hapësirën e plazhit të hotelit Denoel kanë kërkuar t’i lirojnë shezlonet.
“Eshtë dita e 4 që kemi ardh në Ksamil, hotel Denoel. Kemi paguar 400 euro për natë, në të cilën përfshihen mëngjesi, darka dhe shezllonët. Ajo për të cilën kemi mbet të shtangur është sjellja brutale e pronarit të hotelit ndaj pushuesve kosovarë. Çdo ditë nga të gjithë kosovarët që gjenden në plazhe ju është kërkuar t’i lirojnë shezllonët me qëllim se janë të ‘hotelit’, edhe pse pushues të hotelit jemi edhe ne dhe disa cifte afër nesh. Pushuesit kosovarë po trajtohen në mënyrë jo njerëzore nga ta”, ka thënë në ankesë D.B.
Pushuesi ka pretenduar se ky hotel po ofron çmime më të lira për pushuesit spanjollë sesa për ata nga Kosova.
Ankuesi tutje shton se pronari i këtij hoteli ka kërcënuar katër familje nga Kosova, të cilët pretendonin se kishin të drejtë të shfrytëzonin shezlonin. Ndërkaq, çdoherë sipas ankuesit, disa pushues të tjerë nga Kosova i kanë detyruar ta ndërrojnë dhomën tri herë.