Ballina Opinion Ç’po ndodh me turizmin në jug të Shqipërisë

Ç’po ndodh me turizmin në jug të Shqipërisë

25
0

Nga Bardhi Sejdarasi

Tabela e mëposhtme është fotografimi i një dite të vetme i të dhënave të Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit në Ministrinë e Brendshme. I takon një dite të këtij muaji. Sikurse shihet shqiptarët që kanë hyrë në Shqipëri kanë qënë 451 më shumë se të huaj. Shqiptarët që kanë dalë nga Shqipëria kanë qënë 489 më shumë se të huaj që kanë dalë nga vendi ynë.

Fotografim i hyrje-daljeve në kufi, 27 korrik 2024

Hyrje e shtetasve shqiptarë-2380

Dalje e shtetasve shqiptarë-1694

Hyrje e shtetasve të huaj-1929

Dalje e shtetasve të huaj-1205

Hyrje mjete shqiptare- 710

Dalje mjete shqiptare- 458

Hyrje mjete te huaja- 568

Dalje mjete te huaja- 436

Tani të shohim se si paraqiten këto shifra në 6 muajt e parë të vitit, referuar vetëm të huajve. Për qindjen më të lartë në përqindje e ka Kina me rritje 131 për qind, ndërsa në numër kryeson Kosova me 1,7 milion vizitorë e ndjekur nga Italia me 486 mijë. Për kosovarët, analistët thonë se shumica i takojnë lëvizjes tranzit në Shqipëri.

Ministrja e turizmit shqiptar Mirela Kumbaro thotë se janë 4.5 milionë vizitorë që kanë fluturuar në Shqipëri në 6 muajt e parë të vitit. Nga këta, vetëm në qershor, 1 milionë e 245 mijë janë të huaj. 643 mijë shqiptarë kanë ikur nga Shqipëria në qershor 2024.

Operatorët turistikë deklarojnë se nuk është ndier fare rritja më 34% më shumë në 2024 në raport me 6-mujorin e një viti më parë. Operatorët tani kanë folur për braktisje, për plazhe të boshatisur, për një numër shumë të kufizuar turistësh në Shqipëri. Janë të shumta arsyet e një pamjeje të tillë.

“Ne kemi abuzues, që i kanë hapur një vrimë të madhe varkës së turizmit dhe po na mbytin të gjithëve sëbashku”- thotë kreu i një prej shoqatave të turizmit në Jug të vendit. Dhe e ka fjalën për rritjen e çmimeve, me një mesatare nga 50 deri në dyfishim të tyre, në akomodim, por edhe në shërbime turistike.

Zhvlerësimi i Euros është problemi kryesor dhe shkaktari i çdo pasoje negative, thonë oepratorët turistikë. Jo vetëm hotelierët dhe i gjithë zinxhiri i industrisë së turizmit, por edhe turisti ndihet i vjedhur. Në çdo bankomat nuk mund të tërheqësh € edhe nëse e refuzon ti konvertosh. Turisti humb 7€ për çdo tërheqje dhe % konvertimi nga € në lek.

Vetëm rënia e euros me  minus 20% , i bën çmimet 20% më të larta, për të huajt dhe shqiptarët. Çmimet në platformat online Booking, AirBnB, Expedia …etj vendosen vetëm në euro. Në Jug kursi i këmbimit është 1€=97lek. Rritja me 20-30% e disa taksave lokale në qytetet bregdetare, ndikon drejtpërdrejt në çmimin e shitjes.

Rritja e rrogave të punonjësve, e sforcuar dhe jo si pasojë e produktivitetit të punës, ndikon në çmimin e shitjes, kosto si shpenzim pagash. Tregu informal i apartamenteve, po shkatërron tregun dhe konkurrencën. Këta nuk paguajnë asnjë taksë!

Të gjithë këta faktorë ndikojnë në atë që shohim sot në Jug të vendit. Por thelbi mbetet ajo që deklaron kreu i turizmit në jug: “Ne kemi abuzues, që i kanë hapur një vrimë të madhe varkës së turizmit dhe po na mbytin të gjithëve sëbashku”! Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për këtë vit!