Ballina Opinion Pse ka largim dhe “ftohje” mes Shqipërisë e Kosovës?

Pse ka largim dhe “ftohje” mes Shqipërisë e Kosovës?

18
0

Nga Skender Kapiti 

Këto kohë sidomos të këtyre 10 viteve marrëdhëniet shtetërore, diplomatike  dhe politike mes Shqipërisë dhe Kosovës janë ftohur si kurrë më parë. Dhe kjo krejtësisht i dedikohet qeverisë dhe kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, politikës së tij paternaliste, mospërfillëse e deri dhe arrogante  dhe që me veprimet e tij ka treguar se ai ka qenë më pranë Beogradit  dhe në dëm të interesave të Kosovës.

Dikush duhet ta thotë atë që duket, dhe duket sikur politika në Shqipëri punon në funksion  të përcarjes, ftohjes  dhe të largimit mes shqiptarëve të Shqipërisë e të Kosovës, përderisa Qeveria e Shqipërisë vepron kuturu, pa ndjesi dhe jo në interes të Kosovës pasi  ajo nuk kosultohet fare me Prishtinën  për ato se cfarë ka nevojë realisht Kosova që të mbështetet nga qeveria,politika e diplomacia e Shqipërisë, dhe madje Kryeministri i Shqipërisë edhe i ka vënë sanksione Kosovës deri duke anulluar edhe mbledhjet mes dy qeverive  pse Kosova mbron legjitimitetin shtetëror dhe pse qeveria e Kosovës  mbron territorin dhe sovranitetin e saj.

Në Shqipëri  ajo e cila bie në sy është fakti se politika, diplomacia dhe mediat e publiku i paraqesin shumë pak, për të mos thënë aspak zhvillimet dhe ngjarjet madhore  në Kosovë si vizitat, takimet dhe fjalimet potente në takime ndërkombëtare të Kryeministrit  dhe Presidentes së Kosovës, madje shumë dhe tejet të zbehtë Tirana zyrtare dhe ajo mediatike  paraqesin edhe Festën e Pavarësisë së Kosovës si dhe eventet triumfatore sportive të sportistëve të talentuar kosovarë,  rekordet, ngjarjet dhe fitoret e medaljet të sportisëve nga Kosova. Shumë e ftohtë ,indiferente dhe madje edhe kundër Kosovës në disa raste sillet Shqipëria, politika, mediat  dhe  pushtetit i saj. Madje  më mirë  dhe më fort  e mbështesin Kosovën në shumë aspekte Turqia dhe Kroacia se sa Shqipëria.

Kurse mediat e Kosovës i paraqesin me detaje cdo zhvillim në Shqipëri.

Kosovarët i mbushin stadiumet kudo në botë kur luan kombëtarja e Shqipërisë ndërsa nga Shqipëria shumë e rrallë kush e ndjek përfaqësuesen e Kosovës, kosovarët vijnë dy e tre e më shumë herë në vit për ta vizituar Shqipërinë, ndërsa nga Shqipëria në Kosova shumë pak. Kosova e feston me madhështi Ditën e Pavarësisë  së Shqipërisë, 28 Nëntorin, dhe  mediat në Kosovë i paraqesin të gjitha zhvillimet politike dhe aktivitetet qeveritare  të Shqipërisë si ato brënda saj ashtu edhe ato ndërkombëtare.

Në Shqipëri ka egoizëm dhe nuk paraqiten e as nuk promovohen sukseset e Kosovës në luftë kundër korrupsionit, takimet ndërkombëtare dhe sundimin e ligjit, funksionimin e demokracisë dhe të zgjedhjeve elektorale ku Kosova është shëmbull në rajon, Në Shqipëri nuk paraqesin as shtrirjen e legjitimitetit dhe të sovranitetit të Kosovës në tërë territorin e saj , dhe as sfidën intelektuale potente dhe e fuqishme politike,demokratike dhe diplomatike që po i bëjnë Beogradit Kurti dhe Osmani.

Nuk është parë dhe nuk shihet gjekundi në Shqipëri  përvecse shumë rrallë ndonjë mbështetje për Kosovën as nga ata që në Shqipëri pretendojnë sikur  janë pro Kosovës dhe nuk duket gjëkundi ndokush përvecse rrallë ndonjë nga ata  që pretendojnë se janë të djathtë, fisnikë, nacionalistë e patriotë.

Dhe nuk ka pse habitet ndokush se përse këtë vit janë pakësuar pushuesit nga Kosova në Shqipëri. Sepse përvec këtyre që cekëm më lart kosovarët paguajnë për kalimin në rrugët e Shqipërisë, paguajnë tepër shtrenjt për hotelin dhe si hotel paguajnë edhe për parkimin e makinës, paguajnë për rërën sepse janë të detyruar që të paguajnë për shezllonet,  paguajnë tepër shtrenjt për ushqimet, dhe ka mbetur pa paguar vetëm ajri dhe uji i kripur i detit, sepse ujin e pishëm e paguajnë më shtrenjtë sa  nuk paguhet askun tjetër në rajon dhe në plazhet e botës.