Ballina Opinion O sa qejf të bëhet keq!

O sa qejf të bëhet keq!

39
0

Nga Frrok Çupi

Gjithë vendi ynë ka shpërthyer në ngjyra pa fund, në lëvizje njerëzore rrugëve tokësore e ajrore, në stërkala deti, në turizëm detar, në kampe malore. Kjo është stina e bukurisë; siç shkruan Umberto Eco, nuk mund të ndahet bukuria si bukuri dhe bukuria si gjë e dobishme….

E bukur, apo edhe e bukur dhe e dobishme?!

Tani është verë dhe njeriu nuk ka nevojë për lajme të murrmë, as të zinj.

Por ja ku i kemi: Verë e dimër, korb i zi. Edhe në kulmin e diellit këtë vend e quajnë ‘narkoshtet’, edhe në lëvizjen e madhe ‘vendi ka mbaruar’, edhe ku po ndërtohet një shtëpi e re e quajnë ‘gërmadha’. Dje ra zjarr edhe në pishat e Shëngjinit dhe njeriu aty u ndodh vërtet ngushtë prej rrezikut. Këta të ‘lajmeve korb’ e panë nga larg dhe thërritën:

-Ta dogji zoti edhe Ranën e Hedhur!

Kujt ia dogji Zoti Ranën, a detin, a bregun, a kacollën, a vilën, a bjeshkën? Të kujt janë kilometrat dhe centimetrat e atdheut tonë?! Madje të kujt janë ata që ‘digjen’, ata centimetra që ‘boshatisen’?

Në fakt nuk janë lajme, por më shumë dëshira.

Dëshira e keqe vjen nga disa drejtime.

Drejtimi i budallait:

Kjo është një histori vulgare e treguar sofër më sofër e çadër më çadër. Sipas saj, dikush fukara e me shumë fëmijë, kishte fqinjin të ‘kambun’. E ky merrte te fqinji qumësht për fëmijët. Por nisi të dëgjohej tek fliste me vete rrugës për në shehër: “Të cofshin lopët o komshiu im! Ani pse fëmijët e mi ngelin pa qumësht!’ Të cofshin, arabi!’.

Imagjinata e kombit tonë e ka zbritur njeriun e zi deri në pikën e ulët të budallait. E ka bërë me qëllim, për ta përjashtuar sa më shumë. Tani ‘budallai’ është vetë Partia, ose është vetë ‘legjendari i demokracisë’, ose është vetë ish presidenti i Republikës. Këta, me ushtrinë e tyre po tkurren përditë dhe kufizohen nga shoqëria, deri edhe në burg. Mirëpo nga dritarja shikojnë ‘plazhe bosh’,  shikojnë ‘zjarre kudo’, shikojnë ‘varfëri në popull… Dhe pas kësaj kënaqen e thërrasin: ‘Oh sa qejf!’.

Drejtimi tjetër sipas artikullit të Faik Konicës:

Artikulli ishte se ‘Shqipëria nuk bëhet me shqiptarë’.

Shkrimtari idhnohet një ditë nga lajmet e këqija. Njëri i thoshte se ‘Shqipëria nuk bëhet’, tjetri i buçiste në vesh se ‘kur të qethen viçat do të çlirohet Shqipëria’, një tjetër shihte zjarre në ëndërr dhe të nesërmen ia tregonte sikur të ishte realitet. Konica  gjëmoi nga e keqja dhe lëshoi paradigmën e egër. Por ai tha të vërtetën se ‘me disa shqiptarë’ nuk bëhet ky vend. Po të kishte mbetur në dorë të Berisha- Meta, dy shqiptarë të tmerrshëm më të fundit, ky vend do të ishte tani një llucë, një leckë, një faqe e zezë e ndoshta edhe me toka e det të zaptuar nga të tjerë.

Këta, padyshim, nuk janë ‘shqiptarët’ e Faik Konicës, por janë një dorë shqiptarësh që e kanë shitur shpirtin te të huajt që nuk ia duan të mirën vendit.

Dhe më e fundit, drejtimi sipas modelit ‘Becchetti’.

Ky ka qenë një biznesmen italian, i cili është dënuar në Tiranë me burgim 17 vjet. Bëri një rrëmujë këtu, ndoti Vjosën, bëri evazion fiskal, nxiti konflikte, prozvaldi rracën shqiptare, lau para…

Me në fund hapi një gjyq në Arbitrazhin ndërkombëtar, natyrisht me të drejtën e tij, si Beleri që hap gjyqe  çdo dy ditë. Por ky, që nga arratia, bën edhe lajme mashtruese. Lajmet thonë se ‘i mori Shqipërisë 105 milion, 200 milion, 400 milionë…”.  Asgjë e vërtetë. Por ithtarët e tij ngrihen në gishta të këmbës e lëshojnë cingërima gëzimi. ‘O sa qef!’. Nuk ka ndodhur në botë që qytetarët e një vendi të hungërijnë nga lumturia kur i grabitet pasuria vendit. Mirëpo Becchetti ka edhe një shans: Ka lënë 3- 4 gazetarë këtu në Tiranë, këtyre u lëshon lajme të zeza dhe këta i shpërndajnë. U premton se do tua dërgojë pagat nga Shkupi, se nga Tirana e ka të ndaluar.

E gjitha, shqiptarë kundër Shqipërisë… A di kush ta shpjegojë?.