Rekordit të flukseve hyrëse dhe dalëse të shtetasve shqiptarë dhe të huaj në gjashtë muajt e parë të vitit 2024, i është përgjigjur një numër në rritje i personave që zgjedhin sigurimin karton jeshil, apo sigurimin kufitar, fakt që vërehet në rritjen e kontratave dhe vëllimit të primeve të shkruara bruto. Referuar të dhënave zyrtare nga INSTAT, në gjysmën e parë të këtij viti rezultojnë 8.2 milionë dalje të shtetasve shqiptarë dhe të huaj, ku nga ky total, rreth 5.5 milionë dalje janë realizuar duke përdorur një nga mjetet e transportit rrugor. Vetëm në muajin qershor janë shënuar gati 1.2 milionë dalje përmes tokës. Si rezultat i këtyre flukseve të shtuara dalëse, në informacionet e publikuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare vërehet rritje në numrin e makinave të siguruara me “Karton Jeshil”.
“Kartoni Jeshil” i referohet sigurimit të automjeteve që janë të regjistruara në Shqipëri, por që udhëtojnë jashtë vendit dhe mbulon dëmet materiale ose jo materiale, që i shkaktohen palëve të treta në rast aksidenti jashtë territorit të vendit tonë. Produkti “Karton Jeshil” pati një rritje me 0.82% të vëllimit të primeve të shkruara bruto në periudhën janar – qershor të këtij viti. Kjo u shoqërua me një rritje prej 20.47% të numrit të kontratave krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Nga ana tjetër, mbi 8 milionë hyrje të shtetasve shqiptarë dhe të huaj janë regjistruar në 6 muajt e parë të 2024-ës. Nga ky total, rreth 5.4 milionë shtetas kanë përdorur një nga mënyrat e transportit rrugor për të hyrë në vendin tonë, ku vetëm në muajin qershor raportohen përafërsisht 1.2 milionë hyrje nga pikat kufitare.
Rritja e flukseve hyrëse është shoqëruar me një rritje të personave që kanë zgjedhur produktin “Sigurim Kufitar” për makinën e tyre. “Sigurimi Kufitar” i referohet sigurimit të automjeteve me targa të huaja që qarkullojnë në territorin shqiptar, ku në gjatëmujorin e parë të vitit ka pësuar një rritje me 3.91% të vëllimit të primeve të shkruara bruto vlerësuar me periudhën janar – qershor 2023. Gjithashtu, edhe numri i kontratave është rritur me 4.68%.