Ballina Ekonomia Pasagjerët nga ajri shënojnë rritje në 64.7%, INSTAT: Tregtia e mallrave arriti...

Pasagjerët nga ajri shënojnë rritje në 64.7%, INSTAT: Tregtia e mallrave arriti në 571 ton

43
0

Në tremujorin e dytë të këtij viti, transporti ajror ka shënuar rritje me 64.7% nga ku kanë udhëtuar me linja ajrore 2.879.158 pasagjerë nga 1.747.887 të cilët kanë udhëtuar në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Por si është ecuria e volumit të mallrave? Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, volumi i mallrave, të hyrë dhe të dalë nëpërmjet transportit ajror rezultoi 560.8 ton, nga të cilat janë 74.2% mallra hyrëse dhe 25.8% mallra dalëse.

Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit të kaluara, INSTAT raporton për rritje me 12.7%. Ndërkohë, në transportin ajror mallrat e transportuara me postë zënë 9.7% të volumit gjithsej të mallrave të transportuara me ajër, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të 2023 paraqitet me ulje deri në 12.6%.

Për t’u ndalur në eksportet dhe importet e mallrave me ajër, në tremujorin e dytë në total volumi i mallrave të tregtuara është 571 ton. Por duke e krahasuar me të njëjtën periudhë paralele të vitit të kaluar, ky tregues ka shënuar rritje me 47.8%. INSTAT raporton se volumi i mallrave të importuara me ajër në tremujorin e dytë të 2024 zë 0.02% ndaj volumit gjithsej. Në transportin ajror operojnë 25 shoqëri, nga këto janë 24 shoqëri të huaja dhe një shqiptare.

Në tremujorin e dytë të 2024, në hapësirën ajrore shqiptare kanë fluturuar 102.916 avionë, nga të cilët 81.9% të tyre e zë numri i mbikalimeve.