Ballina Europë Forcat policore në Angli rrisin patrullimet pas demonstratave të dhunshme pas sulmit...

Forcat policore në Angli rrisin patrullimet pas demonstratave të dhunshme pas sulmit me thikë

22
0

Forcave të policisë u është kërkuar të rrisin patrullimet jashtë xhamive dhe strehave të azilkërkuesve mes planeve për të paktën 19 tubime të ekstremit të djathtë në të gjithë Anglinë në ditët në vijim.

Bëhet e ditur se demonstratat e dhunshme janë përhapur nga Southport në Londër, Hartlepool, Manchester dhe Aldershot, pas sulmit me thikë që la të vdekur tre fëmijë.

Udhëheqësit e komunitetit thanë se ata kishin gjithnjë e më shumë frikë nga trazirat e mëtejshme pasi xhamitë dhe strehat e azilkërkuesve u vunë në shënjestër të turmave.

Trazirat filluan pasi dezinformatat qarkulluan gjerësisht në internet për identitetin dhe motivet e të dyshuarit për vrasjet në Southport, i cili edhe pse nuk u identifikua nga mediat, së fundmi u emërua si 17-vjeçari Axel Rudakubana.

Rudakubana, do të paraqitet në gjykatë në tetor, i akuzuar për vrasjen e Alice Dasilva Aguiar, nëntë vjeç, Elsie Dot Stancombe, shtatë vjeç dhe Bebe King, gjashtë vjeç dhe tentativë për të vrarë 10 të tjerë.

Edhe pse dihet pak për bindjet apo motivin e sulmit, turmat protestuese sulmuan xhamitë në Southport dhe Hartlepool mes thashethemeve të pabaza në internet se i dyshuari ishte mysliman, shkruan the Guardian, përcjell Telegrafi.

Në Manchester dhe në Aldershot në Hampshire, strehat e azilkërkuesve u vunë në shënjestër nga demonstruesit që mbanin pankarta ku shkruhej “deportoni ata, mos i mbështesni” dhe “nuk ka apartamente për ilegalët”.

Ndërkohë, në qendër të Londrës demonstruesit hodhën fishekzjarre dhe kanaçe ndërsa brohoritnin “sundoni Britaninë”, “shpëtoni fëmijët tanë” dhe “ndaloni varkat”.

Siç raportohet, Mosque Security, një kompani që këshillon udhëheqësit e besimit për mbrojtjen, tha se kishte marrë pyetje nga më shumë se 100 xhami që kërkonin ndihmë ditët e fundit.

Shaukat Warraich, drejtori i saj, tha se rekomandimet e sigurisë në internet ishin shkarkuar qindra herë si rezultat i “narrativës së rreme anti-myslimane që u shpërnda pas vrasjeve në Southport”.

Ndryshe, të paktën 19 tubime të ekstremit të djathtë po planifikohen për ditët në vijim në qytete në të gjithë Anglinë.

Shumë nga ngjarjet po zhvillohen nën banderolën “mjaft është mjaft” dhe “mbroni fëmijët tanë” – i njëjti slogan i përdorur nga demonstruesit jashtë Downing Street ku mbetën të arrestuar më shumë se 110 persona pasi protestuesit u përleshën me policinë.