Ballina Ekonomia Rritet kërkesa për kredi, bankat dhanë 27.5 mld lekë për blerje shtëpie

Rritet kërkesa për kredi, bankat dhanë 27.5 mld lekë për blerje shtëpie

21
0

Në pjesën e parë të vitit, bankat tregtare dhanë 27.5 miliardë lekë kredi të reja për shtëpi. Shuma është 13% më e lartë se periudha 6 mujore e vitit të kaluar.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se kredia e re për shtëpi këtë vit është në vlerat më të larta historike, dhe ndikim mendohet të kenë dhënë normat e ulëta të interesit në lekë.

Kjo pasi, 73% e kredisë së re për shtëpi këtë vit është dhënë në monedhën vendase.

Sipas statistikave nga Banka e Shqipërisë, norma mesatare e interesit të portofolit të kredisë për blerje banesash nga individët në lekë për muajin maj zbriti në 4.6%, ndërkohë që në të njëjtën periudhë të një viti më parë shënonte nivelin 5.2%. Norma mesatare e interesit e portofolit të kredisë për shtëpi në lekë ka prekur nivelin më të ulët që prej nëntorit 2022.

Ndërkohë, kredia në euro po bie ritme të shpejta dhe u tkurr me 43% për gjashtë muajt e parë të këtij viti.

Sipas statistikave të bankës qendrore, tashmë portofoli aktiv i kredisë për blerjen e banesave ka arritur vlerën e 196.2 miliardë lekëve, në rritje vjetore me 10%. Ky portofol përbën tashmë 25% të kredisë totale për ekonominë shqiptare.

Kredia e dhënë nga sektori bankar vazhdon të jetë një mbështetje thelbësore për kërkesën në tregun e pasurive të paluajtshme.