Nga Kalosh Çeliku
Telefoni cingërroi pasmesnate, dhe më zgjoi nga mendimet e “rrezikshme”. Gjumi, që e bëja përpara një ibriku të larmë me dy çepa raki rrushi. Dhe, dy shtamave me verë nën Rrap. Ëndërrave, që nateditë më hudhnin xhindet gra dorë më dorë majë lisave dhe çative të shtëpive, rrëzë “Çuke”, në mes të Ditës Madhe me Diell mbi “Çelvjollcë”.
-Alo, mirëdita… Është, zëri i Mikes Di.
-Tungjatjeta!…
-A, ende je gjallë, nuk ke vdekur?!… Nuk të kanë vrarë…
-Jo. Tentuan të më heqin qafe… Vdiqa, në Voskopojë… Përçudi, të njëjtën ditë u ringjalla në Korçë… me Penë në krah kam dal në mal… Vetëm, Ti po të duash më kthen në shtëpi.
-E pamundur… Mua, moti më ke murosur përpara “Ilirisë“ në Prishtinë, duke ma lënë një gji jashtë për poetët që nuk ikin nga Atdheu…
-Gabim i madh… Lufta në Kosovë mori fund… Erdhi, Liria… Murosja është dashur të bëhet nën Rrap, në “Bit-Pazar”… Ne, tashti jemi ende në luftë, dhe nuk ka kush t’u japë gji poetëve që nuk ikin nga Atdheu…
Papritmas, u ndërpre lidhja. E ngrita shtamën me verë, dhe e shalova Gjokun pullali nëpër “Bit-Pazar” të Shkupit Historik… Matanë “Urës Gurit”, e nxorra Penën me Dy Tyta, dhe dola në dyluftim. Shtatë sahat kam bërë luftë te “Parku i Grave”. Pasi e munda “armikun e padukshëm”, u ktheva në shtëpi. E mbylla veten me çelës mes librave. Natë. I thash, Vetes: nëntë muaj, mos ia hap derën askujt, përveç Zonjës Vdekje.
Libra e revista të hudhura nëpër dhomë: ”STILI ‘97”… “ZEKTHI”, revistë për humor dhe satirë, që delë kur t’i teket… Gazeta… Gazeta… Dhe, gazeta… Rastësisht, e hapa njërën: “Askeri pjesëtari me i moshuar i UÇK -së. Në fshatin Lisec, në njësitin e komandant Xhaxhit takojmë edhe pjesëtarin më të moshuar të UÇK -së, kërçovarin 72 vjeçar i njohur me nofkën “Askeri”. Ai ka prejardhje prej një familje të persekutuar nga regjimi komunist. Axha i tij është vrarë gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke luftuar në aradhat e Mefail Zajazit, kurse babai i tij dhe gjyshi 75 vjeçar gjatë kohë janë mbajtur në burg. “Askeri“ thotë se, shqiptarët sot: dyqind për qind janë më të fortë dhe më të organizuar në krahasim me periudhën e Luftës së Dytë Botërore, dhe se do të arrijnë që t’i realizojnë kërkesat e tyre. Ai na thotë se, ndjehet tepër i gëzuar që ka arritur të luftoj për të drejtat e shqiptarëve.
Gëzohem, që kam arritur të luftoj për kombin tim dhe për fëmijët e mi. Edhe, unë sikur shumica e shqiptarëve në Maqedoni kam pasur telashe me regjimin e këtij shteti të “përbashkët”. Kam punuar më tepër se 20 vite në Gjermani, mirëpo 10 vite para se t’i mbush vitet për pension ma morën pasaportën dhe më lanë në rrugë. Hajër bëfshin që ma morën sepse, në këtë mënyrë edhe më tepër ma rritën vullnetin për të luftuar kundër regjimit të maqedonëve, na thotë “Askeri“. Edhe pse është 72 vjeçar ai është vital sikurse të ishte nja 30 vite më i ri.
Kurse, Komandant Xhaxhi thotë, se: “Askeri” aspak nuk mbetet pas ushtarëve tjerë në kryerjen e detyrave ushtarake. Të njejtën gjë e thonë edhe ushtarët tjerë të cilët janë së bashku me“Askerin“. Ushtarët e rinj të cilët i takojmë së bashku me “Askerin“ insistojnë që ai të na tregojë se, si: ai e ka marrë nofkën “Askeri“. Thotë: Isha, duke biseduar në telefon me të shoqen (gruan), e cila mundohej të më bind që të këthehem në shtëpi për ta dërguar në Shqipëri, sepse gjoja iu paskan paraqitur probleme me operacionin që ka para dy viteve, e kishte bërë në Shqipëri. Oj grua, i thash, unë jam “asker” (sepse ajo është plakë dhe nuk do më kuptonte nëse i thoja ushtarë, dhe nuk mund të vij në shtëpi kur të dua, por duhet ose të mbarojë lufta ose të marr leje prej komandantëve, dhe ia mbylla telefonin. Në atë moment ushtarët që ishin aty afër filluan të qeshin dhe prej aty më mbeti nofka “Askeri“.
“Askeri” është i mahnitur nga respekti, që ndaj tij kanë komandantët e Luftës dhe ushtarët tjerë. Poashtu është i mahnitur edhe nga rektori i Universitetit të Tetovës Fadil Sulejmani. I porosisë maqedonët që mos të ma prekin Fadil Sulejmanin, thotë “Askeri”!…
E mbylla gazetën, dhe u shtriva në shtrat pasmesnate. Kokën e rroka me të dy duartë dhe fillova t’i shtrydh trutë… Mendimet… Kujtimet… Tridhjetë vjet më parë në Katund, te “Lugu i Ymerit”, duke i ruajtur dhentë nga Ujku delengrënës. Bythekrye, duke u rrokullisur teposhtë kodrës nën Dradhat Gorricë, që i kishte shartuar Xha Deralla në Katund, në “dardha turke”. Përqafimin e babait ballist, që policia ende nuk ma linte rehat në shtëpi, edhe pas vdekjes. E ndiqte hap pas hapi edhe mes arave… Ugareve, rrëzë “Çuke”… Maleve… I kërkonte armë…
Dhe, mua sugarin e tij të arratisur në Shkup, dhe Prishtinë: si djalë ballisti me biografi “armiqsore” ndaj shtetit të “përbashkët”?!…