Ballina Opinion Në Shqipëri ka nevojë për kulturë, edukatë dhe leksione nacionaliste

Në Shqipëri ka nevojë për kulturë, edukatë dhe leksione nacionaliste

46
0

Nga Skënder Kapiti 

Nacionalizëm sot do të thotë garë demokratike me kombet e tjera për të mos mbetur në fund të listës  për emancipimin  qytetar, të mos mbesësh sot në fund për realizimin e demokracisë, prosperitetit  dhe të shtetit ligjor.

Nacionalizëm do të thotë  të luftosh krimin,korrupsionin, hajdutërinë dhe  të mos  të jesh në krye të Europës për kultivim e trafikim droge dhe as për eksportim të tyre e të krimit. Kombëtarizëm do të thotë kultivim dhe edukatë vlerash morale, zhvillim e progres dhe të mos jesh në krye të listës për eksod, largim të qytetarëve.

Nacionalizëm  do të thotë përgjegjesi njerëzore individuale e kolektive  për të mos i bërë dëm të tjerëve dhe shoqërisë, të japësh respekt e mirënjohje por edhe të kërkosh respekt e mirënjohje.

Nacionalizëm do të thotë kërkim dhe rrugëtim i pandërprerë  për përsosje morale, do të thotë përpjekje e pandërprerë për më të mirën drejt të ardhmes e progresit.Individi  dhe shoqëria gjithmonë duhet të përpiqen e të kenë kujdes për të mos rënë në shthurje morale dhe as pre e shpenzimeve dhe dëfrimeve dalldisëse prej parasë, alkoolit, drogës  e prostitucionit; kombëtarizëm do të thotë  moslargim nga moraliteti njerëzor.

Duhet kujdes për të mos u larguar  nga traditat e mira dhe sidomos për të mos u larguar nga Feja e Vërtetë, për të mos u larguar nga besimi te Krijuesi i Plotfuqishëm. Nacionalizëm  do të thotë individ, familje dhe shoqëri e shëndetshme;  do të thotë familje, shoqëri dhe shtet ligjor, etik e të moralshëm.

Kombëtarizëm do të thotë kujtesë, respekt e mirënjohje për heronjt dhe për sakrificat e  brezave të së shkuarës që kanë punuar e kryer vepra të mira në të mirë të kombit.