Ballina Politika Protesta e banorëve të Thumanës, deputetja e PD-së u del në ‘krah’:...

Protesta e banorëve të Thumanës, deputetja e PD-së u del në ‘krah’: Mos u dorëzoni deri sa rruga të hapet

21
0

Për të disatën herë rradhazi banorët e Thumanës kanë bllokuar rrugën duke protestuar për të drejtat e tyre dhe të bizneseve të cilat kanë mbetur ‘në hije’ që nga hapja e aksit. Për këtë ka reaguar edhe deputetja e PD-së Elda Hoti duke i dalë në krah protestuesve.

Deklarata e deputetes së PD, Elda Hoti:

Mospajtimi i banorëve të Mamurrasit, Thumanës, Fushë Krujës dhe fshatrave përreth, me bllokimin e aksesit të tyre në rrugën kombëtare, është ndeshur dje me tërbimin e narko policisë dhe të shefave të tyre lart në qeveri. Drejtori i Narko Policisë, Altin Qato, ka goditur një qytetar vetëm se i ka rënë borisë në mbështeje të protestës së banorëve të zonës. Ndërkohë, prania e Policisë ka qenë në shpërpjestim, si me motivin e tubimit ashtu dhe me numrin e protestuesve.

Partia Demokratike u bën thirrje policëve të thjeshtë të papërzier me krimin e shefave të tyre, të demonstruar qartë në disa dosje të shërbimeve të huaja, të mos ndjekin verbtazi urdhrat që i vënë kundër bashkëfshatarëve dhe bashkëqytetarëve të tyre. Drejtorit të Përgjithshëm të Narko Policisë dhe shefit të tij politik në krye të narko-shtetit, ua dimë mirë arsyet e tërbimit dhe, për sjelljen në Thumanë dhe kudo tjetër, sa herë ka protesta, do të përgjigjen herët a vonë.

Partia Demokratike u bën thirrje banorëve të mos dorëzohen deri sa rruga të hapet dhe jeta e tyre t’i kthehet normalitetit. Ju do të keni mbështetjen tonë sot në opozitë. Nesër në qeveri do t’ju japim aksesin që u takon në rrugët komëbtare që janë bërë me taksat tuaja. U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve, pavarësisht bindjeve dhe origjinës, që të bashkohen me bashkëkombasit e tyre të cilët po dhunohen dhe po përbuzen. Atyre u janë mbyllur dyert e shtëpive dhe bizneseve, dhe duhet të shkojnë deri në Rinas për t’u kthyer në punët e tyre të përditshme.

Atyre u bëhet një padrejtësi e madhe e cila duhet korrigjuar. Nëse qeveria nuk e bën me vullnet do ta bëjë me forcë. Ne jemi në krah të banorëve, derisa ata të kenë akses në rrugën kombëtare. Ne jemi kundër qeverisë sa herë u hyn në hak qytetarëve. Ne do të drejtojmë një qeveri që rrugët i bën për shqiptarët, sic ka bërë në periudhën 2005-2013 me 11 mijë km rrugë, jo për oligarkët.