Ballina Politika Zgjedhjet Himarë, denoncon Berisha: U votua me karta ID false, kishte votues...

Zgjedhjet Himarë, denoncon Berisha: U votua me karta ID false, kishte votues edhe nga Dropulli

66
0

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka denoncuar para mbështetësve të tij se në Himarë ditën e sotme kanë votuar edhe qytetarë të ardhur nga Dropulli dhe vende të tjera.

Ai është shprehur se procesit të votimit i janë nënshtruar dhe persona më karta identifikimi false, që sipas tij, skadonin në viti 2070.

“Në Himarë sot votuan edhe qytetarë të ardhur nga Dropulli dhe zona të tjera, me karta identifikimi false, që skadonin në vitin 2070”, tha Berisha.

Ndër të tjera, kreu i PD theksoi se përjashtimi i mbi 6 mijë qytetarëve nga votimi për shkak të skadimit të kartës së identifikimit është një akt skandaloz dhe krim kushtetues.

Berisha më tej u bëri thirrje edhe të gjithë komisionerëve e vëzhguesve të opozitës të numërojnë me ndershmëri çdo votë.

“Të vlerësoni me ndershmëri çdo fletë votimi. Nuk jemi ne si ata, ne jemi ndryshe, ne respektojmë votën, ne nderojmë zgjedhësin. Betejën e kemi me Edi Ramën, betejën e kemi me narkoshtetin, betejën do ta fitojmë ne, do ta fitojmë”, tha ai.

Pjesë nga fjala e Berishës

Të dashur miq!  Në zgjedhjet e 14 majit, në Himarë dhe mbarë vendin u zgjat afati i përdorimit, apo u autorizua përdorimi i kartave të identitetit që u kishte skaduar afati.

Kurse sot pas një pune të zezë të identifikimit të zgjedhësve me karta të skaduara doli se në shumicë dërrmuese ata ishin zgjedhës të djathtë dhe Edi Rama refuzoi të firmosë dje, vendimin e qeverisë për të autorizuar vlefshmërinë e kartave pavarësisht nga data e skadimit.

Përveç këtij akti skandaloz, përveç këtij krimi kushtetues, i pandodhur ndonjëherë unë u them shqiptarëve se në ligjet e mëparshme, jo vetëm që pranohej karta edhe e skaduar e identitetit, por pranohej letërnjoftimi i lëshuar edhe në vitet e diktaturës. Pranohej pasaporta jo biometrike, e lëshuar përpara.

Pranohej certefikata e nxjerrë në gjendje civile, sepse gjëja  e fundit që mund ti shkonte kujt ndërmend ishte mohimi i të drejtës kushtetuese të votimit për qytetarët shqiptarë.

Të përjashtosh nga votimi 6153 qytetarë në një bashki të vogël, imagjinoni ju se çfarë operacioni kriminal përgatit Edi Rama në shkallë vendi. Ndërkohë miqtë e mi, në Himarë sot votuan edhe qytetarë të ardhur nga Dropulli dhe zona të tjera, me karta identifikimi false, që skadonin në vitin 2070. Duke përshëndetur edhe njëherë  të gjithë komisionerët, vëzhguesit e opozitës në zgjedhjet e Himarës, u bëj thirrje të numëroni me ndershmëri çdo votë.

Të vlerësoni me ndershmëri çdo fletë votimi. Nuk jemi ne si ata, ne jemi ndryshe, ne respektojmë votën, ne nderojmë zgjedhësin. Betejën e kemi me Edi Ramën, betejën e kemi me narkoshtetin, betejën do ta fitojmë ne, do ta fitojmë.

Qeveri teknike, zgjedhje të lira, është motoja jonë. Rrofshi ju, rroftë Shqipëria!  Fitore, fitore, fitore!