Ballina Kosovë Akuza e fortë e Haradinajt: Kurti është i rekrutuar nga Serbia, nuk...

Akuza e fortë e Haradinajt: Kurti është i rekrutuar nga Serbia, nuk punon për interesat e Kosovës

15
0

Për kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinajn, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “është rekrutuar nga Serbia”.

“Kurti nuk punon për Kosovën as për interesat e Kosovës. Kam deklaruar se ai është i rekrutuar nga Serbia, Kurti e kamuflon me një lloj patriotizmi të fitoreve ditore, por ia ka humbur Kosovës fitoret strategjike”, tha Haradinaj në një intervistë për Ekonomia Online.

Po ashtu, Haradinaj e ka cilësuar Qeverinë Kurti si “dëmin më të madh” që iu është bërë Kosovës, ndërsa thekson se partnerët ndërkombëtar e kanë humbur besimin te kryeministri.

“Është dashur të jap dorëheqje shumë kohë më përpara, por edhe sot nuk është vonë”, shtoi ish-kryeministri kosovar.

Kreu i AAK-së ka pasur kritika edhe për mospërfshirjen e veteranëve të luftës në pagën minimale nga Qeveria e Kosovës.

“Kemi të bëjmë me një qeverisje që është në faj ndaj Kosovës, duke qenë në faj mundohet të mbulojë fajin e vet dhe të këqijat që i ka bërë Kosovës, me një arrogancë me një qasje armiqësore ndaj të gjithëve, kjo i ka shkaktuar shumë dëm vendit”, potencoi ai.

Por, kjo nuk është hera e parë që Haradinaj e akuzon kreun e ekzekutivit kosovar për “tradhti” ndaj interesave kombëtare të Kosovës.

Në fillim të këtij muaji, Haradinaj, në një intervistë për televizionin T7, pati akuzuar rëndë kryeministrin, duke insistuar se ai i shërben agjendës serbo-ruse.

“Kurti dhe një pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) janë shërbëtorë të Serbisë e Rusisë”, pati theksuar Haradinaj.

Megjithatë, akuzave të Haradinajt deri më tani nuk i është përgjigjur asnjëherë kryeministri kosovar Ablin Kurti.