Ballina Dossier 1965/ Intervista ekskluzive me Mbretëreshën Geraldinë në Marbella

1965/ Intervista ekskluzive me Mbretëreshën Geraldinë në Marbella

37
0

Nga Aurenc Bebja

“Pueblo” ka botuar, të hënën e 23 gushtit 1965, intervistën ekskluzive me Mbretëreshën Geraldinë në Marbella, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Mbretëresha Geraldinë e Shqipërisë shkruan jetën e saj në Marbella

Spanjollët punojnë dhe jetojnë së bashku

Nga Rafael Marichalar

Ajo është një zonjë shtatlartë, flokë bjonde, e dalluar dhe me njëfarë nostalgjie, Madhëria e saj Mbretëresha Geraldinë e shqiptarëve. Një e kaluar plot me kujtime të bukura dhe një e ardhme paqësore janë akomoduar tashmë në Spanjë. Geraldina po bisedonte me një zotëri në një klub nate kur unë iu afrova për t’i propozuar një intervistë. Ajo pranoi dhe caktuam takim për të nesërmen në banesën e saj. Kishim vendosur njëmbëdhjetë të mëngjesit. Unë mbërrita pak me vonesë në takim, ajo ishte tashmë gati.Duhet thënë gjithçka.

Mbretëresha e Shqipërisë jeton në La Coneja, një fermë, një shtëpi e mrekullueshme fshati, në periferi të Marbella-s.

— Kur u shpallët mbretëreshë? — filluam dialogun.

— Unë u prezantova para popullit në vitin 1938. Më pranuan.

— Dhe pastaj?

— Një vit më vonë, në vitin 1939, u kurorëzova mbretëresha e shqiptarëve.

— Kur u larguat nga vendi juaj?

— Menjëherë pas shpalljes sime sovrane.

— Ku keni jetuar?

— Praktikisht në të gjithë Europën.

— Si kanë kaluar këto vite që kur u larguat nga vendi juaj?

— Pranë tim shoqi. Ndihesha mirë edhe pse, natyrisht, më kishte marrë malli për vendin tim.

— Shpresoni të ktheheni një ditë në vendin tuaj.

— Shpresoj. Më shumë se çdo gjë për djalin tim Leka.

— Ku është ai?

— Nuk e di për momentin, por mendoj se është në Mallorca. Ndoshta do të vijë së shpejti.

Geraldina erdhi në Costa del Sol për herë të parë në vitin 1962. Një tjetër mbretëreshë, ajo e Jugosllavisë, i kishte sugjeruar të vinte. Që prej atij viti kjo mbretëreshë e shqiptarëve qëndron në Spanjë.

— Deri kur?

— Përgjithmonë. Unë do të qëndroj patjetër këtu.

— Çfarë ju pëlqen në Spanjë?

— Shumë gjëra.

— Më thoni një?

— Në shumicën e vendeve, puna e thith plotësisht jetën. Njerëzit e qyteteve të Evropës vështirë se i kushtojnë kohë jetës në shoqëri. Bashkëjetesës.

— Dhe spanjollët e bëjnë?

— Pikërisht. Ju punoni dhe jetoni shumë bashkë. Dhe kjo është diçka me vlerë të madhe.

Geraldina e Shqipërisë ngre sytë nga qielli dhe me plot kënaqësi shprehet :

— Në Spanjë e gjej veten sikur kjo të ishte një Hungari e dytë…!

— Si ju duken spanjollët?

— Simpatikë.

— Si e kaloni kohën në Marbella?

— Qetësia mbi të gjitha. Për momentin jam duke shkruar.

— Çfarë shkruani?

— Jetën time.

— Libri filloi këtu?

— Jo, në Madrid.

— A do të botohet?

— Po, po.

— A ju pëlqen sporti?

— Po, veçanërisht tenisi, noti dhe pak golf. Janë ato që unë i praktikoj shpesh.

— A keni pasion për muzikën?

— Mendoj se po. Por unë nuk di të luaj asnjë instrument. Nuk kam talent për të.

Geraldina është një grua e butë (ëmbël). Ajo flet me një buzëqeshje të vazhdueshme në fytyrë.