Ballina Kronika Aksident tragjik në Lushnjë, makina e marrë me qira del nga rruga...

Aksident tragjik në Lushnjë, makina e marrë me qira del nga rruga dhe bëhet copash! Shoferi gjendet i vdekur në timon, ende i paidentifikuar

76
0

Një aksident tragjik ka ndodhur në aksin Lushnjë-Fier, me pasojë një të vdekur.

Shoferi i mjetit mbetet ende i paidentifikuar, teksa trupi i tij u gjet brenda. Makina pasi kishte dalë nga rruga kryesore, në Krutje, vendi i quajtur “Sheshpushimi i shoferit”, ishte përplasur fillimisht me një shtyllë elektrike dhe më pas me një strukturë betoni e muri anësor të një kanali aty pranë.

Trupi i viktimës, për të cilin po punohet për identifikim, u gjet pak pas mesnatës mbi timon, në kanalin anësor të rrugës, ndërsa është dashur një orë punë nga zjarrfikësit dhe policia për ta nxjerrë dhe dërguar në morg, për procedura autopsie. Burime policore thanë se nga verifikimet e para rezulton se autovetura tip “BMW”, me targa AB507DT, rezultonte e marrë me qira, por po hetohet nëse emri i gjetur në regjistrin e kompanisë është i njëjtë me të viktimës. Rezulton se vetura ishte marrë me qira në emër të Ariol Rista.

Sipas dinamikës fillestare të vendngjarjes, dyshohet se shoferi ka qenë me shumë shpejtësi dhe mjeti ka dalë nga rruga kryesore, duke kryer përplasje dhe rrokullisje, teksa është dëmtuar tërësisht duke u shembur në kanalin anësor, pranë murit të një banese në dukje sipas pamjeve.

Policia e Qarkullimit Rrugor ngriti një grup hetimor me ekspertë për rrethanat dhe shkaqet e aksidentit, kurse ajo e rendit dhe prokurori i gatshëm për hetimet nëse ka pasur faktorë të tjerë në aksident, përveç pakujdesisë. Po priten rezultatet e pamjeve të kamerave të sigurisë, verifikimi i dokumentacionit dhe rezultatet e ekspertizës mjeko-ligjore, për të vlerësuar nëse viktima ishte në gjendje të dehur apo ka pasur probleme shëndetësore.

Nuk ka detaje rreth të ndjerit, kurse oficerët po marrin në pyetje edhe përfaqësues të kompanisë së mjeteve me qira, për të mësuar rreth identitetit të shoferit dhe të dhënave të tjera. Policia tha se trupi ndodhet në morgun e Lushnjës, ku do bëhet identifikimi dhe priten familjarët për paraqitjen për njohje të viktimës.