David De Gea bëhet portieri i ri i Fiorentinës pas një viti pasiviteti të plotë. Spanjolli pranoi sfidën e propozuar nga vjollcët dhe për këtë arsye rikthehet në fushë pas përfundimit të kontratës në qershor 2023, në fund të 12 sezoneve me Manchester United. Një grup i madh tifozësh kanë pritur ardhjen e portierit në kryeqytetin toskan për t’iu nënshtruar ekzaminimeve mjekësore, përpara se të firmoste kontratën 1+1 vjeçare.
Portieri i ri i skuadrës toskane shfaqi menjëherë entuziazëm të jashtëzakonshëm për zgjedhjen e bërë: “Jam shumë i lumtur që ndodhem këtu, forca Fiore”. Fjalë të rëndësishme për një projekt që me sa duket e bindi të rifillonte futbollin. Kjo ishte në fakt arsyeja që e kishte mbajtur De Gea në pritje për një vit.
Pas largimit nga Manchester United, portieri spanjoll kishte marrë shumë oferta nga ekipe spanjolle, por edhe arabe, me shuma financiare mjaft të rëndësishme. Por De Gea gjithmonë ka preferuar të presë një projekt ambicioz, që e ka përfshirë totalisht.
Nga të gjitha këndvështrimet, Fiorentina, si skuadër dhe si kontekst, sigurisht që përfaqëson një fazë të rëndësishme për një portier mesatarisht të ri si ai, i cili në moshën 33-vjeçare dëshiron ende të jetojë përvojën si protagonist i fushave të blerta. Një goditje sigurisht me përvojë të madhe për Fiorentinën, që dëshiron ta ngrejë stekën në sezonin e ri.
Po çfarë bëri De Gea gjatë një viti pasiviteti nga futbolli? Palladinos i është besuar detyra për të ringjallur një grup që ka humbur dy finale radhazi të Ligës së Konferencës. Ardhja e De Gea tani mund të hapë dyert për lamtumirën e Terracciano, i cili qartësisht mund të konsiderohet i dyti në hierarkitë e formacionit.
De Gea në këtë periudhë larg fushës së lojës e kaloi kohën e tij mes Spanjës dhe Manchesterit së bashku me gruan e tij Edurne Garcia dhe vajzën Yanay në pronën e tyre prej 3.5 milion £ në Hale, Cheshire, e cila kishte qenë shtëpia e tij gjatë periudhës së gjatë si “Djall i Kuq”.
Ai gjithashtu u pa shpesh duke parë ndeshjet e ekipit të femrave të Manchester United, çka i bëri tifozët e “Djajve të Kuq” të ëndërronin rikthim e tij në ekip, pas paraqitjeve fillestare jo bindëse të Onana. Madje mendohej se De Gea-s mund t’i hapeshin dyert e një lamtumire të hershme me futbollin, por në vend të kësaj, Fiorentina arriti në këtë pikë ta bindte atë të kthehej në fushë dhe të vishte përsëri dorezat.