Ballina Kulturë James Cameron bën të ditur titullin e filmit të tretë Avatar

James Cameron bën të ditur titullin e filmit të tretë Avatar

39
0

Regjisori James Cameron e ka bërë të ditur titullin e filmit të tij të ri Avatar, “Fire and Ash” [Zjarr dhe hi].

Ai e ka bërë një paraqitje të papritur në një ceremoni të organizuar prej gjigantit Disney në Kaliforni, dhe ka qenë me yjet e filmit, Zoe Saldana dhe Sam Worthington, për t’i bërë publike detajet e filmit, që do ta ketë premierën më 2025, raporton REL.

Filmi i zhanrit fantashkencë vjen pas Avatarit të vitit 2009 dhe filmit pasues “Avatar: The Way Of Water”, të publikuar më 2022.

“Filmi i ri nuk është ai që prisni, por definitivisht është ai që ju duhet”, ka thënë Cameron para një audience me mbi 12.000 njerëz.

Regjisori 69-vjeçar, ka thënë se filmi i ri është krijuar me një koncept të ri që ngacmon imagjinatën, dhe që do të ketë karaktere në qiell dhe të rrethuar prej zjarrit.

Ai, gjithashtu, ka thënë se audienca “do të dëshirojë ta urrejë” një karakter të ri.

“Do të shihni më shumë planet, diçka që nuk keni parë kurrë më parë”.

Filmi i ri pritet të ketë premierën më 19 dhjetor 2025.