Ballina Opinion Propagandizmi dhe modeli i “suksesit” të lehtë nuk vazhdojnë tej kufijve tanë

Propagandizmi dhe modeli i “suksesit” të lehtë nuk vazhdojnë tej kufijve tanë

38
0

Nga Preç Zogaj

Në majë të çdo suksesi ka një mrekulli pune, gërshetuar me një varg rrethanash, ku mbështetja e individëve të talentuar nga shteti dhe konkurrenca e ndershme qëndrojnë në krye.

Në këtë kontekst, nuk ka asnjë surprizë që grupi numerikisht modest i atletëve të vendit (jo të huazuar) largohet pa asnjë medalje, asnjë finale, asnjë gjysmëfinale nga lojërat olimpike “Paris 2024”. Me gjasë, si asnjë vend tjetër pjesëmarrës nga kontinenti ynë.

Asnjë fjalë të keqe për atletët që na përfaqësuan. Përkundrazi. Ata duhen përgëzuar që arritën të merrnin pjesë dhe bënë përpjekjet e tyre maksimale për një paraqitje dinjitoze.

Përtej kësaj, atletët paguajnë haraqet e vendit. Shqipëria nuk ka politika adekuate që mbështesin zhvillimin e sporteve, letërsisë dhe arteve, kërkimit shkencor, duke u fokusuar te talentet. Këto fusha janë birë kavalli.

Kombëtarja e futbollit bën përjashtim për faktin se lojtarët e saj luajnë në klubet e Europës dhe disa prej tyre, nga më të talentuarit, shqiptarë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, kanë zgjedhur fanellën kuq e zi. Po të mos ishte kështu do të linim nam për keq edhe në futbolli, siç ndodh rëndom me skuadrat tona të kampionatit kombëtar në ndeshjet paraeliminatore për kupat e Europës.

Vit pas viti Kultura dhe Sporti kanë devijuar në keqkuptim, kanë ardhur duke dalë nga radari i qeverisë së Ramës; kanë humbur në substancë, duke “përparuar” aty-këtu në aparencë. Së fundi, Kultura në kuptimin e gjerë të fjalës ka përfunduar si sanduiç midis ekonomisë dhe inovacionit. Ngjan si një paralajmërim për ta hequr fare nga lista. Paradoks i madh për një kryeministër që ka ardhur nga artet dhe sporti, siç është Edi Rama.

Ndërsa nuk ka politika që fokusohen te talentet dhe vlerat, qeveria ka fanfarat propagandistike të mburrjeve, të reklamimit të arritjeve, të veprave publike të ndërtuara me dorë të rëndë nga taksat e shqiptarëve, ku pjesa e korrupsionit për zyrtarët e lartë plus norma e fitimit për kompanitë ndërtuese janë shpeshherë më shumë se çfarë merr vepra e ndërtuar.

Të dëgjosh fanfarat e kryeministrit dhe pipizanëve të tij, po të mos kesh haber nga bota, do të mendosh se vetëm këtu ndërtohet, vetëm këtu shkruhen epope. Në këtë pikë Shqipëria i lë në bisht vendet e kontinentit. Por Shqipëria propagandistike nuk vazhdon përtej kufijve të saj. Dhe kur vjen momenti i ballafaqimit me pjesën tjetër të botës ne dalim përgjithësisht të fundit pothuajse në çdo fushë, edhe në ato që maten me metra apo kronometra, edhe në ato që maten me shifra dhe metoda të tjera vlerësimi.

Propagandizmi dhe populizmi kanë si parim masivizimin e tipit sovjetik apo maocedunian, duke injoruar faktin se politika kulturore dhe ajo për sportin, në fund të fundit përkthehen në një fjalë: cilësi. Masivizimi, sipas Tolstojt, është mënyra djallëzore për të diskretituar letërsinë e mirë. E njëjta sentencë vlen edhe për sportet.

Masivizimi në kuptimin që sa më shumë njerëz të ushtojnë sportin për shëndetin dhe formën e tyre është pozitiv. Kur vjen puna te sporti, profesionit, apo artet mbështetja duhet të fokusohet te talentet.

Për interesa korruptive klienteliste qeveritë e njëpasnjëshme në Tiranë e kanë vrarë konkurrencën pikësëpari në fushën e investimeve publike dhe liçensimeve, duke e shtrirë vetiu ketë shembull shkatërrues për zhvillimin edhe në sektorë në pamje të parë me status të pavarur, siç janë sportet, letërsia dhe artet, kërkimi shkencor.

Me shumë pak përjashtime, fituesit, kudo, i përcakton një garë e rreme, e paravendosur, shmotivuese, indinjuese. Kjo është norma. Vendi ynë është mbërthyer prej kohësh në sindromën e suksesit të lehtë përmes narkotrafikimit dhe krimit, përmes korrupsionit kapilar në degët e ekzekutivit, përmes politikave klienteliste antimeritokratike të qeverisë, përmes një tregu mediatik që promovon banalitetin, konsideruar si ushqim i shumicës, që merr më shumë shikime dhe pëlqime.

Por edhe Shqipëria e mungesës së garës dhe suksesit pa punë dhe përpjekje të ndershme nuk vazhdon përtej kufijve të saj. Ku ka garë me të tjerët propaganda dhe modelet vendore të suksesit na lënë në baltë dhe si rregull renditemi nga fundi.