Ballina Ekonomia Ndryshon formula e rritjes së pensioneve që do të realizohet në muajin...

Ndryshon formula e rritjes së pensioneve që do të realizohet në muajin tetor, dalin detajet e fundit nga qeveria…

0
27

Indeksimi i pensioneve do të realizohet në muajin tetor dhe si indeks do të përdoret jo inflacioni, por indeksi i çmimeve të konsumit të shportës së mallrave dhe shërbimeve të pensionistëve.

Lajmin e ka dhënë Radiotelevizioni Shqiptar të marrë si informacion të fundit nga autoritetet e ministrisë përgjegjëse për pensionet. Deklarimi do të thotë se rritja e pensioneve në muajin tetor nuk do të ketë lidhje me treguesin e çmimeve të konsumit të llogaritur nga INSTAT, në vlerën prej 2,1 për qind.

Ndërkohë, qeveria ka korrektuar edhe pagat mbi të cilat llogaritet masa e pensionit duke filluar nga data 1 korrik 2024. Ky korrektim i domosdoshëm merr parasysh Nenin 59 të ligjit dhe ndryshimet e pagave minimale vitet e fundi. Ekspertët thonë se kjo është një rritje relativisht e mirë.

Skema e re e pensioneve

Ekspertët e qeverisë shqiptare dhe konsulentët e Bankës Botërore kanë nisur punën për rishikimin e reformës së pensioneve, e cila hyri në fuqi në vitin 2014, me qëllim korrigjimin e disa masave që kanë rezultuar të padobishme gjatë zbatimit të saj. Ndryshimet që po diskutohen pritet të marrin në konsideratë uljen e viteve me kontribute për pension. Në Shqipëri paguhen mesatarisht 21.6% kontribute, nga një mesatare 18% në vendet e OECD-së, thuhet në studimin e Komisionit Europian, “Vlerësimi i përshtatshmërisë së pensioneve ne Shqipëri”. Edhe pse përqindja e kontributeve në Shqipëri është më e lartë, kontributet e mbledhura nuk janë të mjaftueshme për të paguar shpenzimet totale për skemën publike të pensioneve.

Në diskutim është edhe forma e indeksimit të pensioneve, ku një alternativë mund të jetë rritja në të njëjtën përqindje e pensioneve si paga mesatare. Reforma, e marrë përsipër edhe njëherë nga Banka Botërore, synon të forcojë elemente të tjera të ndihmës ekonomike për pensionistët që përmbushin kushtet për pension. Rritja e numrit të pensioneve të pleqërisë u përshpejtua në vitin 2023, me ritmet më të larta të gjashtë vitet e fundit. Sipas të dhënave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH) mbi 590 mijë persona morën pension pleqërie në vitin 2023, me rritje vjetore 3,1%.

Stoku i pensionistëve u zgjerua me rreth 17 mijë vitin e kaluar, një numër më i lartë sesa mesatarja që nga 2010-ta me shtesë 15 mijë në vit. Ministria e Financave priste që suficiti buxhetor të arrinte në 21,3 miliardë lekë në muajin qershor të këtij viti, por të dhënat e fundit tregojnë se balanca pozitive ka arritur një vlerë prej 51,4 miliardë lekësh (500 mln euro) ose 141 për qind më shumë se plani buxhetor. Kjo mundësi mund të shfrytëzohet për rritjen e pensioneve, nisur edhe nga suficiti i skemës aktuale të pensioneve për vitin 2024.

Kritere të reja për pensionet private

Nga ana tjetër, për shoqëritë administruese dhe përfituesit e fondeve të pensioneve private, janë përcaktuar kushte të reja për tërheqjen dhe përdorimin e pagesës së pensioneve. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka publikuar për konsultim publik projekt-rregulloren për mënyrën, afatet dhe procedurën e pagesës së pensionit privat. Pensioni privat mund të tërhiqet si një pagesë e menjëhershme ose si një pagesë periodike mujore. Gjithashtu, vlera neto e shumës së parave mund të përdoret për blerjen e një kontrate të sigurimit të jetës në formë “anuiteti”, te një shoqëri sigurimi jete. Në projekt-rregullore parashikohet marrja e pagesave të vazhdueshme mujore në formë pensioni të zgjatura në kohë, jo më pak se 2 vjet. Ndërkohë që shoqëria administruese e fondit të pensionit privat duhet të njoftojë anëtarin brenda 5 ditëve pune nga dita e mbushjes së moshës për marrjen e pensionit.

Në çdo rast, anëtari i fondit të pensionit privat duhet të paraqesë një kërkesë te shoqëria administruese për marrjen e pagesës së menjëhershme si një shumë të vetme ose në disa shuma dhe periudha të barabarta apo të ndryshme, deri në shterimin e plotë të llogarisë. Shoqëria administruese detyrohet t’i paguajë penalitet në formë interesi anëtarit të fondit të pensionit, në rastin e vonesave në pagimin e shumave të menjëhershme apo të pagesave periodike. Shuma e interesit të pagueshëm tek anëtari i fondit për çdo pagesë të vonuar llogaritet duke marrë parasysh çdo ditë vonesë dhe shumën e pagesës së vonuar. Për sa i përket trashëgimisë së aktiveve, tashmë në rregulloren e re përcaktohet qartë që paratë e mbetura në llogarinë e pensionistit pas vdekjes së tij, mund të trashëgohen te familjarët.