Të tjera detaje kanë dalë në dritë nga plagosja me thikë e një nëne dhe vajzës së saj vetëm 11 vjeçe në Londër.
CNN shkruan se ishte një roje sigurie ai që u përpoq qetë shpëtonte nga agresori 34-vjeçaren dhe të bijën. Policia e Westminsterit të Londrës tha se një burrë u arrestua si autor i këtij sulmi të rëndë.
Roja i sigurisë, 29-vjeçari Abdullah, tha se ishte duke punuar në një dyqan çaji aty pranë në shesh kur “dëgjoi një ulërimë” dhe pa nënë e bijë duke u sulmuar nga një burrë që dukej se ishte rreth të tridhjetave.
“Unë u hodha mbi të, mbajta dorën në të cilën ai kishte thikën, dhe e shtriva në tokë, e më pas i hoqa armën e ftohtë”, tha ai.
Dy persona të tjerë erdhën për ta ndihmuar atë ta mbante sulmuesin përpara se policia të mbërrinte dhe ta arrestonte.
Abdullah tha se ai dhe dy të tjerët i kishin dhënë ndihmën e parë vajzës përpara se policia të merrte situatën në kontroll.
“Sapo pashë një fëmijë duke u goditur me thikë dhe thjesht u përpoqa ta shpëtoja. Është detyra ime t’i shpëtoj”, tha ai.
Policia e Mbretërisë së Bashkuar mbetet në gatishmëri të lartë pas disa ditësh trazirash të ekstremit të djathtë në fillim të këtij muaji, të nxitura nga dezinformatat rreth një sulmi vdekjeprurës me thikë në veri të Anglisë.
Pas ngjarjes nënë e bijë janë transportuar në spital, dhe raportohet se ndodhen jashtë rrezikut për jetën.