Ballina Aktualitet POLICI RRUGAÇESH/ Vdekja e dhunshme e 42-vjeçarit, kryepolici Rrumbullaku urdhëron inspektimin e...

POLICI RRUGAÇESH/ Vdekja e dhunshme e 42-vjeçarit, kryepolici Rrumbullaku urdhëron inspektimin e Policisë së Pogradecit nëse e fshehën krimin

20
0

Vdekja e 42-vjeçarit Egli Proga pas një sulmi të dhunshëm fizik të shtunën e 10 Gushtit, ka detyruar kryepolicin Muhamet Rrumbullaku të nisë inspektimet e procedurave të kryera nga Policia e Pogradecit, në qarkun e Korçës.

Shkak u bënë lajmet dhe dyshimet e hedhura nga disa media ditën e djeshme, se Policia kishte fshehur krimin e vrasjes dhe mbrojtur autorin e sulmit fatal, Denis Meçi, që është i afërm i zyrtarëve të lartë vendorë. Sipas informacioneve, 29-vjeçari rezulton se është nipi i ish-drejtorit të Postës Shqiptare, Valter Gore.

Më herët policia vendore e kishte mohuar përfshirjen e efektivëve në fshehje të provave, duke specifikuar se menjëherë pas ngjarjes identifikuan dhe ndaluan 29-vjeçarin Denis Meçi, si të dyshuar.

Por sot, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, urdhëroi inspektim në Drejtorinë Vendore të Policisë, Korçë, lidhur me ngjarjen në qytetin e Pogradecit.

Ngjarja dyshohet se erdhi si rezultat i përleshjes së dy palëve, teksa autori dyshohet se ka qenë i shoqëruar edhe nga dy persona të tjerë.

“Bazuar në Rregulloren e Policisë së Shtetit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku, urdhëroi Drejtorinë e Standardeve Profesionale për kryerjen e vlerësimit të zbatimit të detyrave të strukturave në Drejtorinë Vendore të Policisë, Korçë, dhe në Komisariatin e Pogradecit, lidhur me ngjarjen ku, pas një konflikti, humbi jetën një 42-vjeçar”, thuhet në njoftimin zyrtar të institucionit blu.

Dhe më tej sqarohet procedura që do të ndiqet:

“Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit do të vlerësojë të gjithë tërësinë e veprimeve dhe reagimit të punonjësve të policisë, prej momentit të parë të marrjes së njoftimit mbi ngjarjen, duke synuar nxjerrjen e përgjegjësisë dhe personave përgjegjës, nëse rezultojnë të tillë”, duke siguruar edhe për angazhimin maksimal për zbatimin e ligjit.

Egli Proga u raportua se humbi jetën ditë dy ditë më parë (10 Gusht), pasi ishte rrëzuar në rrugë në gjendje të dehur në Pogradec. Por, nga hetimet e kryera rezultoi se ai ishte rrahur për vdekje dhe ka ndërruar më pas jetë në spitalin e Pogradecit.

Autori i ngjarjes dyshohet se është 29-vjeçari Denis Meçi, i cili u largua nga vendi i ngjarjes dhe u kap gjatë ndjekjes nga blutë e Pogradecit. Sherri ka ndodhur në ambientet e jashtme të një prej lokaleve të qytetit dhe të rinjtë besohet se kanë qenë në gjendje të dehur.

Viktima pasi u gjakos hyri për pak në lokal, por më tej doli në rrugë, ku dhe u shemb në asfalt. Autori dyshohet se ka qenë i shoqëruar edhe nga persona të tjera dhe verifikimet janë ende aktive.