Ballina Ekonomia Lajm i mirë për pensionistët, rritja që do bëhet në tetor do...

Lajm i mirë për pensionistët, rritja që do bëhet në tetor do të jetë dyfish më e madhe se vitet e tjera, përfitojnë…

67
0

Eksperti i ekonomisë, Fatos Çoçoli jep lajmin e mirë për pensionistët sa i përket indeksimit të pensionit. Në një prononcim për “sot”, Çoçoli, pohon se të paktën indeksimi i çmimeve të konsumit të shportës së mallrave dhe të barnave, do të sjell një indeksim të paktën dyfish më të lartë krahas indeksimit vjetor i cili realizohet në muajin tetor për 717 mijë të moshuar.

Eksperti thotë se nëse shifrat e inflacionit vjetor janë të shifrat e nivelit 2-3%, nëse këtë vit zbatohet indeksi i çmimeve të konsumit të shportës do të arrij rreth shifrave 4.8%- 5%. Kjo rritje e madhe vjen pas skemës së fundit nga qeveria se si indeks këtë vit do të përdoret jo inflacioni, por indeksi i çmimeve të konsumit të shportës së mallrave dhe shërbimeve të pensionistëve.

“Gjykoj se do të jenë në mënyrë të ndjeshme më të mëdha përfitimet për faktin se çmimet e dedikuara të shportës për pensionistët, çmimet e barnave që përdoren në mënyrë masive nga pensionistët, janë gjithmonë vitet e fundit dukshëm më të larta sesa niveli mesatar i inflacionit, pra i mesatares të së gjithë çmimeve të tjera. Nëse p.sh., e kemi inflacionin në nivelet 2-3%, kuptohet që indeksimi do të jetë të paktën dyfishi, rreth shifrave 4.8% – 5%. Ende nuk ka dalë, por siç pritet në tetor si çdo vit por parashikohet që të jetë në nivelet shumë më të larta sesa inflacioni i përgjithshëm vjetor që matet po nga INSTAT. Kështu që, për këtë të jemi të sigurt, në rast se inflacioni vjetor do të jetë 2.4%, indeksimi për çmimet e mallrave të dedikuara për konsumin e pensionistëve siç janë mallrat ushqimore dhe barnat mjekësore që përdoren nga pensionistët, do të jetë të paktën dyfishi.

Po, do jetë shumë më në rritje, të paktën dyfish i inflacionit të përgjithshëm vjetor krahas indeksit të çmimeve të shportës së pensionistëve, si në konsum të ushqimeve, gjithashtu dhe të barnave. Të gjitha matjet e deritanishme e kanë treguar inflacionin në nivele të ulëta. Vetëm për korrikun ka qenë 2.1 %. Ka qenë gjithmonë në ulje, nga 3.4 % që ishte në janar. Inflacioni i përgjithshëm do të jetë, ai vjetori nga tetori i 2023 në tetorin 2024 do të jetë në shifrat 2.4%-2.6%, ndërkohë çmimet që referuar, që janë çmimet e dedikuara të indeksit të pensionistëve, do të jenë të paktën dy herë më shumë më të larta”, u shpreh Fatos Çoçoli.

Kolapsi i pa/evitueshëm i pensioneve në Shqipëri

Por edhe pse qeveria përpiqet që ta kënaqë me pak këtë kategori, situata me pensionet në Shqipëri është alarmante, Fitim Sula, pensionist 78-vjeçar nga Rrogozhina, me profesion skulptor, shpreh pakënaqësi rreth pensionit të tij të ulët. Me 43 vite kontribut si mësimdhënës dhe si artist, ai thotë se pensioni nuk do t’i mjaftonte për të mbuluar nevojat po të mos ishte për ndihmën e fëmijëve. “Është premtuar vazhdimisht rritje e pensionit, por ka rreth 11 vjet që nuk ka asnjë rritje të tillë. Përkundrazi, me rritjen e inflacionit, pensioni im dhe i pensionistëve të tjerë në Shqipëri faktikisht është zvogëluar.” Sula aktualisht përfiton një pension prej 25 mijë lekësh në muaj, i cili ndonëse paraqitet më i lartë se i shumë të tjerëve, sërish është i pamjaftueshëm. Por ky nuk është meraku i tij i vërtetë. “Duke parë situatën aktuale dhe mënyrën se si po shkojnë punët, jam shumë pesimist për të ardhmen e pensioneve për brezat e rinj, përfshirë edhe djalin tim, sepse vajza jeton në Milano”, thotë ai. Sula vëren se strukturat aktuale dhe mënyrat e menaxhimit të fondit të pensioneve nuk japin shumë shpresë për stabilitet ose siguri afatgjatë.

“Nëse nuk bëhen reforma serioze dhe të qëndrueshme në sistem dhe në ekonominë e vendit, frika ime është se pensionet mund të jenë edhe më të paqëndrueshme në të ardhmen, prandaj vazhdimisht e këshilloj djalin të largohet nga vendi.” Ndërkaq janë mbi 700 mijë pensionistë në Shqipëri, shumë prej të cilëve pasi kanë punuar rreth katër dekada, të ardhurat nuk u mjaftojnë as për nevojat e përditshme elementare. Sipas të dhënave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH), pensioni mesatar në vend përllogaritet në 15,600 lekë. Ky nivel është sa 39% e pagës minimale dhe 20% e pagës mesatare. Në vitin 2022, Banka Botërore e rishikoi minimumin e varfërisë sipas rajoneve, duke e indeksuar këtë normë në rastin e Shqipërisë në 6.85 dollarë në ditë, çka në muaj rezulton në 205 dollarë.

Kjo do të thotë që mesatarja e pensioneve në Shqipëri tashmë është zyrtarisht poshtë nivelit ndërkombëtar të varfërisë. Por një pjesë e pensionistëve marrin shumë më pak se kaq. Bëhet fjalë për të moshuarit e zonave rurale. Sipas ISSH-së, pensioni në fshat është vetëm 10,888 lekë dhe ai në qytet 18,615 lekë. Niveli i ulët i pensioneve është pasojë e drejtpërdrejtë e situatës së vështirë në të cilën ndodhet skema e pensioneve në Shqipëri. Një skemë deficitare, e cila gjithmonë e më shumë po kërkon mbështetje financiare nga buxheti i shtetit, duke qenë një barrë e drejtpërdrejtë mbi taksapaguesit shqiptarë.

Emigrimi masiv dhe i pandalshëm gjatë dekadave të fundit, ulja e numrit të lindjeve dhe rritja e jetëgjatësisë së të moshuarve, janë faktorët kryesorë që ndikojnë te gremisja graduale dhe e ‘qëndrueshme’ e skemës së pensioneve në Shqipëri. Kjo për shkak të emigrimit masiv dhe të pandërprerë vitet e fundit, që ka ulur ndjeshëm numrat e fuqisë punëtore dhe rrjedhimisht, edhe të kontribuuesve në skemë. Paralelisht është rritur mosha mesatare, çka do të thotë plakje e popullsisë. Sipas Censit 2023, popullsia llogaritet në 2.4 milionë banorë, ose 420 mijë më pak se rreth një dekadë më parë. Kjo do të thotë se gjatë periudhës me realizimit të dy censeve, vendi ka humbur mesatarisht 35 mijë banorë në vit. Ndërkohë, mosha mesatare, në fund të 2023-it llogaritet në 42.5 vite, nga 35.3 vite që ishte në Censin 2011, duke rezultuar në një plakje të Shqipërisë prej 7.2 vitesh gjatë periudhës në fjalë. Të dy këta tregues kanë efekt të drejtpërdrejtë në skemën e pensioneve, duke ulur numrin e kontribuuesve dhe rritur atë të përfituesve, thënë ndryshe, të pensionistëve.