Ballina Aktualitet Sa rrezikohen pishat e plazhit të malit të Robit dhe Qerretit nga...

Sa rrezikohen pishat e plazhit të malit të Robit dhe Qerretit nga zjarri

17
0

Nga Abdurrahim Ashiku 

Një pyetje që desha ta bënte kryetari i Bashkisë së Kavajës dhe administrata e tij.
Ta bënte dhe ti binte në këmbë pyllit të pishave nga Golemi deri në Qerret e më tej.
Të shikonte se halat e pishave që pikojnë e krijojnë nën kurorë një shtresë të thatë, “barut” që një cigare e hedhur pa kujdes mund të shkaktojë një zjarr që do të shkrumbonte gjithëçka.
Të shikonte se me përjashtim të bareve e restoranteve halat dhe barërat e thata nuk pastrohen askund dhe, edhe kur pastrohen grumbullohen në mullarë të frikshëm po të merrnin zjarr.
Të shikonte se pishat e mbjella para 70 vjetësh  me punë vullnetare nga nxënësit e shkollës së mesme bujqësore dhe banorët e zonës, nga betonimi i rrënjëve, prerjet,. cungimet,  janë tharë e vazhdojnë të thahen duke krijuar degë e degëza të thata, “barut” për zjarret.
Të shikonte se tërë rrugët kryesore e dytësore, nga mospastrimi i barit të tharë janë një burim i shpejtë i zjarreve.
Një cigare e hedhur pa u menduar, një erë e fortë, dhe hotelet, vilat,  çadrat në bregdet do të zhduknin për dhjetë minuta gjithçka, shpejt pa arritur të shfaqet zjarrfikësja e parë…
Zjarret në pyje nisin nga toka, nga “baruti” – gjethet dhe  degët e thata duke u ngjitur e përcjellë flakët në të gjithë pyllin.
Në një udhëtim që kam bërë bregut të detit në vitin 1962 nga Saranda në Borsh, anës rrugës në distanca të afërta kishte parulla të shkruara me germa të mëdha: KUJDES! RREZIK ZJARRI!
Bari i thatë i kullotave në të dy anët e rrugës nga pakujdesia më e vogël mund të shndërrohej në zjarre që nuk dihej se ku do tu përfundonte koka.
Do të desha që kudo, në të gjitha rrugët e Shqipërisë, në distanca të caktuara të vendosen parulla me paralajmërimin ”KUJDES! RREZIK ZJARRI!”.
Një aksion i gjerë kombëtar, në të gjithë qytetet dhe fshatrave, me thirrjen që secili, rreth banesës dhe biznesit të vet të pastrojë burimet e mundshme të zjarreve të shpejtë, barin e thatë, gjethet e thara, mbeturinat e djegshme.
Është koha që të gjithë të ngrihen në këmbë për të parandaluar zjarret, zjarre të mundshme në këtë kohë të thatë, temperaturash të larta.