Shtetasja amerikane Tracy Shannon Lyn, e cila është banore e përhershme në Tivar të Malit të Zi për të katërtin vit, ka denoncuar sot në polici se vajza e saj e mitur Zynlee Ryan është rrëmbyer nga babai i saj Thomas Hollenbeck.
Sipas Shannon Lyn, Thomas Hollenbeck është ish-burri i saj. Ajo shprehet se Thomas Hollenbeck ka kaluar ilegalisht kufirin malazezo-shqiptar me vajzën e tyre gjashtëvjeçare
Në një intervistë televizive, ajo tregoi mes lotësh se vajza e saj është 6 vjeçe dhe duhet të vinte pas një vizite, por nuk e ka parë që prej orës 16:00 të ditës së djeshme.
“Për momentin vajza qëndron me mua, ai ka të drejtë ta vizitojë 2 herë në javë dhe asnjë nga ne nuk lejohet të largohet nga vendi pa lejen e personit tjetër. Vajza ime nuk ka një pasaportë dhe kur ajo nuk u kthye në shtëpi, telefoni i ish-bashkëshortit tim ishte i fikur, nuk e kisha idenë ku ndodhej, ndaj sot kontaktova ambasadën amerikane dhe ata më ndihmuan shumë. Vetëm pas disa telefonatash mora një telefonatë që konfirmon se vajza ime dhe i ati ndodheshin në ambasadën amerikane në Tiranë në përpjekje për të marrë një pasaportë për të, që do të thotë se e ka kaluar kufirin ilegalisht duke shkelur një urdhër gjykate. Dua vetëm që ajo të kthehet në shtëpi dhe për këtë më duhet ndihmë që kjo të ndodhë”, tha ajo.
Ajo kërkoi ndihmë për gjetjen e vajzës dhe marrjen e saj nga ish-partneri, që siç tha e ka dhunuar atë dhe të bijën gjë të cilën e kanë dokumentuar në gjykatë.