Ballina Opinion Maskaradë mediatike apo tymnajë propagandistike për të mbuluar dështimin e shtetit dhe...

Maskaradë mediatike apo tymnajë propagandistike për të mbuluar dështimin e shtetit dhe të kryeministrit

16
0

Nga Ilir Dako

Kryeministri shqiptar mbetet një nga politikanët dhe burrat e shtetit më problematikë dhe të paqendrueshëm, ku emocionet përmbysin arsyen që duhet të prevalojë në reagimit e një shtetari serioz. Vrasja e Egli Progës dhe implikimi i Policisë së Shtetiit në mënyrë të pacipë për të zbutur ose fshehur krimin kanë nxitur një valë reagimeh politike, mediatike, policeske dhe së fundi dhe kryeministrore.

Reagimi i Drejtorit të Përgjitshëm të Policisë përveç që ishte një kllounatë e pacipë e një zyrtari të lartë të shtetit para qytetarëve shqiptarë ishte dhe një papërgjegjshmëri e funksionarit të shtetit, i cili detyrë parësore ka mbrojtjen e jetës së qytetarëve. Muhamet Rrumbullaku as u zverdh dhe as u skuq nga abuzivizmi i policisë së tij në rastin e një krimi ku humbi jetën një qytetar, por nga i akuzuar u kthye në akuzues ndaj mediave dhe opinionit publik. Ky personazh në vend të një qëndrimi serioz, human dhe qytetar, ku të mbante përgjegjësië e manipulimit skandaloz të një krimi dhe tentativave të vartësve të tij dhe të deklaronte dorëheqjen, jo vetëm që nuk e bëri këtë veprim, por nuk kërkoi as ndjesë për skandalin në fjalë.

Në deklaratën e tij: “Në asnjë moment dhe në asnjë rrethanë, nga asnjë punonjës i Policisë së Komisariatit të Policisë Pogradec, nuk është tentuar të fshihet apo minimizohet ngjarja e rëndë”, Muhamet Rrumbullaku me paturpësinë më të madhe bëri krimin tjetër të mohimit të papërgjegjshmërisë së strukturës policore në hetimin e vrasjes.  Ndërkohë që nuk ka munguar reagimi i prokurorisë e cila ka përgënjeshtruar Rrumbullakun.

Në deklaratën e saj Prokuroria e Korçës deklaron se:

“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë merr nën hetim shtetasin A.L. i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i Detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.  Shtetasi në fjalë, me detyrë Inspektor, Trupë Shërbimi, Patrullë e Përgjithshme rezulton se nuk mori asnjë masë për të dokumentuar apo bërë prezent shkakun e vdekjes së shtetasit E.P. më 10.08.2024 në Pogradec.”, thotë Prokuroria Korçë. Gjithashtu rezulton e provuar, se prokurorit të gatshëm i është raportuar paraprakisht fakti se nga Salla Operative është marrë njoftim se një person i dehur i moshës rreth 37 vjeç është rrëzuar dhe për pasojë ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal të Pogradecit.

Duke parë situatën nga deklaratat e personazhit kryesor në hierarkinë policore, Muhamet Rrubullakut i cili gjendet me shpatulla pas murit pasi organi i akuzës i ka përplasur në sy realitetin, i cili është i ndryshëm nga ky që na paraqiti zoti Rrumbullaku.

Menjëherë pas Rrumbullakut ka reaguar kryeministri shqiptar si maja e piramidës ekzekutive, duke lëshuar bubullima për maskarada mediatike dhe corbash të qelbura që duan ti dëmtojnë imazhin e policisë kryeministrit tonë të madhërishëm. Ky njeri historikisht ka qenë i nxituar në deklarata. Emocionet e kanë nxjerrë në majë të podiumeve për të goditur me shigjeta mediat, shoqërinë civile apo dhe atë miniopozitë që ka denoncuar skadalet që ndodhin në qeverië e tij.

Nuk kanë fund gjëmimet e tij kundër mediave që i denoncuan , grabitjet në shëndetësi, me inceneratorët me tenderët e rrugëv apo plot abuzivizma të funksionarëve të qeverisë së tij, të cilët i mbronte me zell deri sa i kanë përfunduar në qelitë e burgjeve. Më pas dihet historia e kumbullave dhe frutave sipas stinëve që janë miliardat e abuzimeve që ja kanë kyçyr në fyt gjuhën e gjatë të justifikimeve me akuza dhe fyerje ndaj denoncuesve të tij.

Kryeministri i Shqipërisë në vend të ngrinte një ekip që të sqaronte rrethanat flet si një fëmijë mistrec i paedukuar. Ky njeri nuk ka pikën e sensitivitetit human për dy krime që kanë ndodhur në Pogradec.

Atë të vrasje të babait të dy fëmijëve dhe manipulimin e krimit nga vartësit e tij.

Minimumi duhet të heshtte dhe të ngushëllonte familjen e të ndjerit dhe jo të kërkojë armiq imagjinarë. Ka ardhur koha që ky njeri duhet të heqë dorë nga retorika puniste e gjetjes së armiqve imagjinarë si në rastin konkret apo të dështimit të turizmit, por duhet të vërë gishtin në plagë zgjidhje së problemit.