Ballina Kulturë Ngërthim i frymës moderne nga cikli i veprave valët e jetës

Ngërthim i frymës moderne nga cikli i veprave valët e jetës

56
0

Nga Prof. Dr. Hivzi Muharremi 

Kjo ekspozitë në Galerinë “Rada”, e cila ka filluar funksionimin pas mbylljes së të gjitha institucioneve artistike publike, duke përfshirë muzeumet, galeritë dhe shtëpitë e kulturës në kuadër të të cilëve funksiononin ambientet ekspozuese të galerive shtetërore, ka një rëndësi të veçantë. Pra, në qytetin piktoresk, kulturor e historik të Prizrenit, pas mbylljes dhe regjimit totalitar barbar ndaj popullatës shqiptare, kur jeta ishte e padurueshme nga terrori dhe gjenocidi i okupatorit serbosllav, ku në një atmosferë të tillë të linçimit të popullatës dhe mbylljes së objekteve të të gjitha fushave jetësore, në Prizren, me iniciativën e piktores Feriha Rada, në vitin 1995 u hap Galeria e Arteve “Rada”. Ajo arriti të organizojë mbi 30 ekspozita nga të gjitha qendrat e Kosovës, përkatësisht nga etnia shqiptare si nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe vende të tjera europiane, deri në mbyllje nga barbarizmi serb.

Sikurse edhe në galeritë e tjera private që u hapën në disa qendra të qyteteve të Kosovës, si Galeria e Hanit të dy Robertëve, Galeria “Europa” në Pejë, Galeria “Koha 3” në Prishtinë, etj., këto institucione i plotësuan në një masë të caktuar institucionet e galerive të mbyllura shtetërore. Në Galerinë “Rada” dhe në këto galeri të tjera, bashkëpunimi im ka qenë evident si kritik i arteve, ku kam pasur rolin e kuratorit në shumë ekspozita, përfshirë fjalën e hapjes të ekspozitave. Pra, roli dhe rëndësia e funksionimit të Galerisë “Rada” kanë qenë evidente në mbajtjen e vijimësisë së jetës kulturore përmes hapjes së ekspozitave personale dhe kolektive.

Në vigjilje të 25-vjetorit të mbylljes së Galerisë “Rada”, në vitin 1999, forcat destruktive ushtarake dhe militante serbe depërtuan në “Galerinë e Artit Rada” dhe qëndruan aty deri në fund të luftës, përkatësisht deri në bombardimin e caqeve fashisoide dhe militante serbe. Gjatë qëndrimit të tyre, galeria u dëmtua dukshëm. I tërë koleksioni i pasur i “Fondit të Galerisë” u plaçkit, pra, u vodhën me qindra piktura, skulptura, grafika, tapiceri, relieve, qeramika dhe shumë eksponate të tjera artistike. Ky është një përmbledhje e shkurtër e historikut të këtij institucioni galerik, i cili kishte vazhduar punën e saj pa ndërprerje në atë kohë kur jeta në tërë Kosovën ishte paralizuar në të gjitha fushat e artit dhe të lëmive tjera shtetërore. Prandaj, roli i galerisë është jashtëzakonisht i madh dhe i rëndësishëm për vazhdimin e jetës kulturore në qytetin e Prizrenit dhe për artin e Kosovës në përgjithësi.

Pra, data 09.08.2024 shënon rifillimin e funksionimit të Galerisë “Rada” me ekspozitën personale të autorës së institucionit, piktores Feriha Rada, e cila me ciklin e punimeve pikturale të fazës së fundit “Valet e jetës” inauguron nismën e funksionimit të kësaj galerie private, e cila ndodhet mu në qendrën funksionale të qytetit, afër Shtëpisë së Kulturës të Prizrenit.

Punimet e realizuara kryesisht janë në teknikën akrilik dhe dominojnë peizazhet, sa imagjinative po aq edhe postimpresive dhe metafizike me primesa surreale, gjithnjë në sfondin koloristik të gamës strukturale blu dhe të kuqe. Në disa tablo të këtyre kompozimeve kemi edhe imazhe nga nënqielli parisien të inkorporuara gjithnjë në frymën e artit modern, ku ngjyra blu dhe e kuqe ishin elementet më parësore të veprave të Feriha Radës. Autorja gjithnjë i mbetet besnik imazheve dhe motiveve nga nënqielli i Prizrenit, nënqiell që në mënyrë të drejtëpërdrejtë i është rrënjosur në shpirtin e saj. Ajo ka qenë e inkarnuar me një kolorit të një ambienti, një qendër e cila posedonte një trashëgimi të një kulture shumë të lashtë me objekte dhe monumente të trashëgimisë kulturore-historike të lashtësisë. Pra, i tërë ky spektër i stileve dhe drejtimeve të ndryshme kulturore ndikoi edhe në botën shpirtërore dhe krijuese të piktores Rada, e cila me devotshmëri dhe emocion iu është qasur këtyre imazheve dhe të tjerave, jo vetëm nga natyra, por edhe nga jeta dramatike e popullatës që historikisht gjatë periudhave të ndryshme kohore është ballafaquar me sfidat e ndryshme jetësore. Andaj, autorja me emërtim mjaftë sugjestiv i ka trajtuar skena të ndryshme jetësore, ku figurat i trajton si silueta dhe reflekse që shpërfaqen dhe duken mjaftë transparente, si në veprat e postimpresionistëve, por në esencë strukturën koloristike autorja e përfiton me shkallëzim të ngjyrave primare dhe sekondare në këtë dikotomi figurale, duke shpërfaqur elementin e dritës që gjithnjë e më shumë e vë në spikamë format e imazheve të fokusuar në qendër të kompozimit.

Cikli “Valet e jetës” e vë në spikamë tërë jetën e artistës, është burim frymëzimi i saj jetësor, përballje me sfidat jetësore, jo vetëm personale, por edhe përgjithshme të historisë nga entiteti e deri më sot. Pra, autorja Feriha Rada e shpërfaq tërë historikun e botës së saj emocionale përmes ngjyrave dhe formave kompozicionale. Si lajmotivi i tërë kompozimeve është ngjyra blu, ngjyra e vizioneve të saj, ngjyra qetësuese, ngjyra që dominon në tërë sfondin e opusit të saj dyvjeçar gjatë realizimit të këtyre mbi 100 tablove kompozicionale. Për shkak të hapësirës së galerisë, numri i veprave ka qenë i reduktuar për ekspozim para artdashësve prizrenas e më gjerë.

Feriha Rada lindi në vitin 1955 në Prizren, ku e kreu shkollën fillore dhe të mesme në vendlindje, ndërsa Akademinë e Arteve, Dega e pikturës, e kreu në Prishtinë në klasën e Profesorit Nusret Salihamixhiqi më 1979. Gjatë viteve 1981 dhe 1982, ajo përfundoi studimet specialistike në Paris në Universitetin e Sorbonës “L’Ecole du Louvre”, për pikturë dhe Muzeologji, me profesorin e njohur M. Arnauld Brejon De Lavergnee. Piktorja Feriha Rada kryesisht i përkushtohet këtyre fushave artistike: pikturës, vizatimit të lirë, grafikës, skulpturës, tapicerisë, kostumografisë dhe vitrazhit. Ka qenë e punësuar si piktore, mbikëqyrëse, kuratore në Muzeun dhe Galerinë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Gjithashtu, Feriha ka punuar edhe në konservimin dhe restaurimin e afreskave në kishën e “Shën Premtës” dhe në xhaminë e “Sinan Pashës” në Prizren.