Ballina Politika Igli Cara: Pse nuk pranojnë Rama-Sako Komision Hetimor për Rindërtimin ?! Publikon...

Igli Cara: Pse nuk pranojnë Rama-Sako Komision Hetimor për Rindërtimin ?! Publikon artikullin: Masakra e rindërtimit në Durrës/ A është Rajli Ndërtim kompania private e Emiriana Sakos?

82
0

Ish kandidati për kreun e bashkisë së Durrësit Igli Cara referuar edhe një shkrimi të Klodian Tomorrit botuar në portalin Kapital.al ka hedhur akuza të rënda ndaj kryebashkiakes së Durrësit Emriona Sako. Sipas Carës “Llogaridhënia e munguar për proçesin e Rindërtimit është dëshmi se ky proçes i zvarritur në kohë është korruptiv dhe abuziv”. Ndëerkohë që Cara flet për shifra të frikshme ndërsa shprehet se rreth 1 miliardë euro të shpenzuara, pa llogaritur fondet e BE e donacionet dhe pas 5 vitesh ky proçes është në udhëkryq. Sipas Igli Carës kjo është edhe arsyeja përse Rama dhe Sako nuk pranojnë komision hetimor për Rindërtimin!

Postimi i Igli Cares: 
Pse nuk pranojnë Rama-Sako Komision Hetimor për Rindërtimin ?!
Llogaridhënia e munguar për proçesin e Rindërtimit është dëshmi se ky proçes i zvarritur në kohë është korruptiv dhe abuziv.
Kërkesat e vazhdueshme të opozitës, nga deputetët në Komisione e Kuvend, por dhe këshilltarët bashkiakë kanë rënë në vesh të shurdhët.
Rreth 1 miliardë euro të shpenzuara, pa llogaritur fondet e BE e donacionet dhe pas 5 vitesh ky proçes është në udhëkryq.
Në Durrës, pa asnjë bazë ligjore dhe me arrogancë, shumica e komanduar nga Rama-Sako hodhën poshtë ngritjen e Komisionit Hetimor për Rindërtimin.
Arsyet kuptohen.
Artikulli tregon qartë me fakte konkrete se si është abuzuar dhe si janë grabitur fondet publike.
Me poshte artikulli i plote botuar ne Kapital.al

Nga Klodian Tomorri

Tërmeti dramatik i 26 nëntorit të vitit 2019 shkatërroi jetën e qindra dhe mijëra familjeve shqiptare. Por për një grusht të vogël njerëzish ai është shndërruar në burim pasurimi. Dhe disa nga këta gjenden në Durrës.

Javën e kaluar, Bashkia e Durrësit shpalli fituesit e tre tenderave të kufizuar për rindërtimin e tre pallateve në Durrës. Fondi limit i përcaktuar për riforcimin e pallateve të dëmtuar nga tërmeti ishte 5.66 milionë euro. Tenderat u dhanë për 5.65 milionë euro. Pra, 99.99 për qind e fondit limit me vetëm 10 mijë euro të kursyera nga gjoja tre tenderat. Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe sepse prokurimet pa garë nuk janë tendera, por thjesht shpërndarje parash në mënyrë korruptive.

Ndonëse tashmë u bënë gati 6 vjet nga tërmeti shkatërrimtar Emiriana Sako në Durrës vazhdon të bëjë biznes me fatkeqësinë. Dhe ky ngjan mirëfilltazi me një biznes privat me paratë e taksave të qytetarëve. Por kush janë njerëzit që morën paratë?

Rajli Ndërtim është një kompani e panjohur për publikun e gjerë. Me seli në Durrës, kjo kompani zotërohet nga dy aksionere, që janë Enkelejda Gojashi dhe Lediana Mata. E para njihet si anëtare e Partisë Socialiste dhe aktiviste e flaktë e Rilindjes, deri në pikën që në të shkuarën ka qenë shpesh dhe anëtare e Komisioneve Zonale të Zgjedhjeve. Dhe të jesh militant i partisë në pushtet paguan.

Në bashkëpunim me kompaninë G.P.G, Rajli Ndërtim u shpall fituese në dy nga tre tenderat duke përlarë plot 4.46 milionë euro. Ndërsa kompania tjetër fituese është Inerti shpk një biznes me bazë në Gramsh, që zotërohet nga Halil dhe Florjan Muja.

Korrupsion haptazi

Në tre tenderat e mbyllur të Bashkisë Durrës garuan vetëm dy garues. Inerti dhe bashkimii i kompanive Rajli-G.P.G. Në tenderin e parë për riforcimin e pallatit Rajfi në rrugën Iljaz Reka paraqiti ofertë vetëm Inerti, vlera financiare e së cilës ishte 14 mijë lekë ose 140 euro më pak se fondi limit. Me fushën bosh Inerti u shpall fituese e tenderit 1.2 milionë euro.

Në tenderin e dytë, atë të riaftësimit të pallateve nr 8 dhe nr 10 në rrugën Pelikan u paraqitën dy oferta. Bashkimi i kompanive Rajli-G.P.G ofroi vlerën 2.9 milionë euro. Kurse Inerti dha një ofertë që ishte më e lartë se fondi limit, duke u skualifikuar me vetëdije të plotë.

E njëjta skemë u përsërit dhe në tenderin e tretë, atë për riaftësimit strukturor të pallatit Big Kristi. Bashkimi i kompanive Rajli-G.P.G ofertoi 3 mijë euro më pak se fondi limit, ndërsa Inerti sërish mbushi topin duke dhënë ofertë më të lartë se fondi limit. Këto janë qartazi tendera korruptivë të manipuluar me fitues të paracaktuar.

Dashuria Sako-Rajli Ndërtim

Kompania Rajli Ndërtim deri më sot ka marrë në total 9 milionë euro pagesa nga paratë publike. Nga këto 8 milionë e 700 mijë euro i ka marrë vetëm nga Bashkia e Durrësit, ndërsa 300 mijë eurot e tjetra i ka marrë nga Bashkia e Vorës. Me pak fjalë, Rajli Ndërtim është një kompani e ngritur për të bërë biznes vetëm me bashkinë e Durrësit.

Ky fakt, së bashku me lidhjen politike të pronarëve të saj me Partinë Socialiste ngrenë dyshime të mëdha. A është Rajli Ndërtim kompania private e Emiriana Sakos? Nëse përgjigja e kësaj pyetje është JO, atëherë ka një përgjigje si Po të sigurtë. Kryetarja e Bashkisë së Durrësit është klientja e vetme e Rajlit. Jo me paratë e saj, por me taksat e qytetarëve në procese prokurimesh të cilat bërtasin me të madhe korrupsion.