Drejtori i Përgjithshëmi Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, në një prononcim për mediat Haki Çako bëri të ditur se vatrat e zjarrit në malin e Tomorrit janë vënë në kontroll. Ai shtoi se situata në nivel kombëtar vijon të jetë me probleme, ndërsa theksoi se po punohet me të gjitha kapacitetet për të vendosur në kontroll vatrat e zjarrit.
“Situata në nivel kombëtar vijon të jetë me probleme. Sapo është vënë në kontroll një zjarr në një fshat në Selenicë. Është mundësuar shpëtimi i banesave dhe njerëzve. Po punohet me të gjitha kapacitetet edhe në malin e Prespës ku është në kontroll situata, por edhe në Theth ku janë shfaqur disa vatra, por falë forcave të armatosura dhe strukturave të tjera janë vënë në kontroll disa vatra. Momentalisht ka vetëm një vatër zjarri aktive e cila mbetet aktive prek disa ditësh në bashkinë e Klosit dhe Bulqizës. Po punohet për vënien në kontroll edhe atje“, tha ai.
Çako tha se për menaxhimin e zjarreve është ndërhyrë nga toka dhe nga ajri. “Menaxhimi deri më tani ka qenë i suksesshëm falë angazhimit të forcave operacionale”.
Çako kërkoi nga organet e drejtësisë drejtësisë të maksimalizojnë sanksionet në bazë të ligjit për të gjithë zjarrvënësit.
“Kemi dalë në përfundime që pjesa më e madhe e zjarreve është e qëllimshme pra të vendosura një njeri, qëllimi mbetet për tu hetuar nga drejtësia ndaj përsëris kërkesën që organet e drejtësisë të maksimalizojnë sanksionet në bazë të ligjit për të gjithë zjarrvënësit”, tha ai.