Ballina Dossier Kamarieri që shoqëronte Enver Hoxhën në Drilon: Kur fliste Enveri, skuqeshim të...

Kamarieri që shoqëronte Enver Hoxhën në Drilon: Kur fliste Enveri, skuqeshim të gjithë

16
0

Kushdo që ka kaluar të paktën njëherë në Triport, Vlorë, është njohur nga afër me restorant Vangjelin. Aty punon e gjithë familja e Vangjel Kamberajt, i njohur si nartioti.

“Kështu më thërriste Enver Hoxha, kur peshkonte në Drilon dhe unë isha kamarier, tregon për vitin e largët kur pas shkolle punoi disa vite në shtëpitë e pushimit ku shkonte Hoxha, Pogradec e Vlorë.

Për Dritare Tv, zoti Vangjel tregon disa nga momentet kur e ka shoqëruar Enver Hoxhën gjatë pushimeve kur largohej për kamp, dhe i pëlqente të peshkonte në liqenin e Pogradecit.

“Me Enver Hoxhën jam njohur kur kam qenë student, punoja si kamarier. Punoja si kamarier në shtëpinë e tij, por dhe në kampet kur shkonte në Jalë apo në Drilon. Kur shkonim me kamp në Drilon, e ndihmoja të peshkonte gjatë pasditeve. I pëlqente të rinte afër liqenit, rreth dy orë.

Pëshkonte me kallama, rreth viteve 72-73‘ në Drilon. E shoqëronte dhe bashkëshortja, Nexhmija. Më pyeste përherë për Nartën, ushqimin dhe pijen që pëlqehej në zonë. Kur më pyeste si jetonin nartiotët, i thoja përherë shumë mirë. Kur fliste Enveri, skuqeshim të gjithë, edhe pse ishte miqësor në muhabet.

I pëlqente shumë të qëndronte në Jalë dhe në Drilon dhe e kam shoqëruar kudo. Më thërriste vetë, të vijë nartioti thoshte. Shërbeja ushqimet, që konsumonte, kryesisht pa vaj, shumë peshk dhe supë. Pinte pak verë të kuqe, si pasojë e diabetit.

Raki nuk pinte kurrë, as me kafe. Dieta e tij, ishte e përgatitur nga mjeku Isuf Kalo. Kalo ishte i pari njeri që e shoqëronte kudo dhe na udhëzonte të gjithëve, se çfarë do të konsumonte Enveri“, tregon zoti Vangjel. Dritare Tv