Ballina Aktualitet Vdekja tragjike e 19-vjeçarit italian në Velipojë, e dashura e viktimës sqaron...

Vdekja tragjike e 19-vjeçarit italian në Velipojë, e dashura e viktimës sqaron ngjarjen: Thjesht një përplasje

19
0

Një aksident tragjik u regjistrua të dielën e 18 gushtit në plazhin e Velipojës ku humbi jetën një 19-vjeçar italian. Në lidhje me ngjarjen ka reaguar e dashura e viktimës e cila ka qenë prezente kur ka ndodhur ngjarja së bashku më të vëllanë.

19-vjeçari kishte ardhur për pushime me të dashurën e tij dhe vëllain e të dashurës në Shqipëri ndërsa dha frymën e fundit në vendin tonë. Në lidhje me ngjarjen u arrestua vëllai i të dashurës së viktimës.

E dashura e 19-vjeçarit, Giusy Di Tella, njëkohësisht dhe motra e të arrestuarit, Salvatore Di Tella, tha se ata nuk ishin as nën efektin e alkoolit dhe as të ndonjë droge, ndryshe nga çfarë thekson policia. Ajo shtoi se ngjarja ishte thjesht një aksident tragjik, një përplasje e papritur.

“Autoritetet shqiptare kanë lëshuar trupin e të dashurit tim dhe po përgatitemi për t’u rikthyer në Itali, por dua të theksoj fort se ishte thjesht një aksident tragjik, një përplasje e papritur. Ne nuk kishim pirë as alkool e as drogë. Unë, i fejuari im dhe vëllai im kemi qenë gjithmonë shumë të lidhur bashkë”, tha Giusy.

Ajo se ishte së bashku me Nicolan në jet-ski dhe mbrojti vëllain e saj Salvatore, duke thënë se ai nuk kishte asnjë faj, duke akuzuar policinë se kanë dhënë një version plotësisht të gabuar. Sipas saj në Shqipëri domosdoshmërisht duan të gjejnë një fajtor dhe kjo është arsyeja pse ata po kërkojmë ndihmë nga autoritetet italiane.

“Dy jet ski-të ishin larg njëra-tjetrës dhe ne nuk ishim aq larg bregut, ndryshe siç raportohet. Unë po xhiroja një video me celularin tim, kur Nicola më tha ta fikja. Në atë moment, pati një përplasje në anën e djathtë të jet ski-së tonë. Vëllai im u hodh menjëherë në det për ta shpëtuar Nicolan dhe e nxori trupin e tij në breg, që më pas u transportua drejt spitalit, aty ku nuk arriti të mbijetonte.

Por dua të ritheksoj se ishte thjesht një aksident tragjik. Vëllai im nuk kishte asnjë faj, madje edhe familja e të dashurit tim thotë pikërisht këtë. Por këtu, në Shqipëri, ata domosdoshmërisht duan të gjejnë një fajtor: kjo është arsyeja pse ne kërkojmë ndihmë nga autoritetet italiane”, tha ajo.