Ballina Ekonomia Eksportet nuk ndalin rënien, tkurren 12% për janar-korrik, tekstilet e këpucët në...

Eksportet nuk ndalin rënien, tkurren 12% për janar-korrik, tekstilet e këpucët në situatë të vështirë

9
0

Eksportet kanë vijuar me ecurinë negative edhe gjatë muajit korrik, të ndikuara nga rezultatet e dobëta të grupeve të mineraleve e lëndëve djegëse, produkteve ushqimore dhe të tekstileve e këpucëve, të ndikuara nga nënçmimi i euros dhe nga rënia e çmimeve nga mbiprodhimi në Europë për produktet bujqësore. Rënia e thellë është amortizuar disi nga ecuria e mirë e grupit të materialeve të ndërtimit.

Sipas të dhënave të INSTAT, Në Korrik 2024 eksportet e mallrave arritën vlerën 33 mld lekë, duke u ulur me -12,0%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me -4,1%, në krahasim me Qershor 2024. Ritmet e rënies janë përshpejtuar sërish në raport me qershorin, kur tkurrja ishte 8.9%. Në maj, tkurrja me bazë vjetore ishte 12,4%. Në Prill 2024 eksportet e mallrave ishin rritur për herë të parë pas shumë muajsh me 1,8% me bazë vjetore.

Në mars eksportet ishin tkurrur me 21%, në shkurt me -16.1% dhe në janar me 29.2%. Gjatë muajit Korrik 2024, në uljen e eksporteve prej -12,0%, kanë ndikuar grupet: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me -11,3 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -4,0 pikë përqindje, “Ushqime, pije, duhan” me -0,7 pikë përqindje, etj. Pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me +3,0 pikë përqindje, “Produkte kimike dhe plastike” me +1,4 pikë përqindje, etj. Për shtatë mujorin eksportet kanë shënuar një tkurrje të fortë. Sipas INSTAT, Në këtë shtatëmujor eksportet e mallrave arritën vlerën 233 mld lekë, duke u ulur me -14,5%. Për 7 mujorin, Grupet që kanë ndikuar në uljen vjetore të eksporteve, janë: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me -6,0 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -5,2 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -2,2 pikë përqindje, etj. Pozitivisht ka ndikuar grupi: “Produkte kimike dhe plastike” me +0,1 pikë përqindje, etj.

Tekstilet dhe këpucët në vështirësi

Në korrik, eksportet e tekstile e këpucë, grupi më i madh eksportues në vend ranë me 13.2%. Për 7 mujorin, eksportet e tekstileve- këpucë ishin 65.3 miliardë lekë, me një tkurrje prej 17.8% me bazë vjetore. Industria po vijon të vuajë pasojat e shumë faktorëve si rritja e kostove që ka bërë që partnerët të zhvendosen në Lindjen e Mesme duke ulur porositë dhe sidomos zhvlerësimi i euros, që redukton të ardhurat e tyre kur konvertohen në lekë. Për periudhën janar-korrik 2023, një euro u këmbye mesatarisht me 112 lekë, sipas kursit të Bankës së Shqipërisë, ndërsa për të njëjtën periudhë të këtij viti këmbehet me 102 lekë, ose gati 10% më pak. Kjo situatë po detyron shumë fabrika të mbyllen, sipas njoftimeve nga Shoqata e Eksportuesve.