Ballina Rajoni Kërcënimet ndaj ambasadave serbe, ministri i Brendshëm Daçiç: Përcjellësi i mesazheve është...

Kërcënimet ndaj ambasadave serbe, ministri i Brendshëm Daçiç: Përcjellësi i mesazheve është Denis Krasniqi

31
0

Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë (MPB), Ivica Daçiç, tha të martën se ka pranuar informatë zyrtare për një person i cili dyshohet se ka dërguar mesazhe kërcënuese në aeroportin “Nikola Tesla” në Beograd, në ambasadat serbe në Gjermani dhe Austri, si dhe në Qendrën e Beogradit për Politika të Sigurisë.

“Lidhur me mesazhet kërcënuese të ardhura përmes postës elektronike, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ka marrë informacion zyrtar se personi në fjalë është Denis Krasniqi (i lindur më 1998) nga Zvicra, prindërit e të cilit janë nga Kosova”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Daçiç tha se Krasniqi aktualisht ndodhet në Kosovë dhe se ai është urdhëruar të paraqitet në policinë zvicerane “menjëherë pasi të jetë kthyer në Zvicër. Më herët gjatë ditës, ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriç, i tha televizionit Pink se ambasadat serbe në dy kryeqytetet kryesore evropiane janë kërcënuar në 24 orët e fundit se do të jenë “cak i sulmeve terroriste”.

Ai shtoi se nuk dëshiron të japë hollësi pa u konsultuar me organet e sigurisë, sepse “nuk dëshiroj të përkeqësohet situata”. Gjuriç tha se mëngjesin e së martës janë shtuar masat e sigurisë në disa nga zyrat diplomatike dhe misionet konsullore të Serbisë në Evropë. Radio Evropa e Lirë e ka kontaktuar Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës lidhur me deklaratën e Marko Gjuriçit, por nuk ka marrë përgjigje./ REL