Republika Sërpska (RS) “nuk e ka kundërshtuar kurrë” sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnje e Hercegovinës në përputhje me Marrëveshjen e Dejtonit, ndërsa shkëputja “nuk ka qenë kurrë politikë e jona”, tha të mërkurën Millorad Dodik, president i entitetit serb, njërit prej dy entiteteve që e përbëjnë Bosnjën.
Burns e vizitoi Sarajevën të martën ku, ndër të tjera, diskutoi edhe për retorikën secesioniste dhe veprimet e Dodiku, tha një zyrtar i Qeverisë amerikane për Radion Evropa e Lirë, i cili kërkoi të mbetej anonim.
Një ditë pas vizitës së Burns, Dodik shkroi në rrjetin social X tha se “lufta kundër terrorizmit është detyrim i gjithë botës së lirë dhe në këtë kuadër vizita e drejtorit të CIA-s, zotit William Burns, në Bosnje e Hercegovinë, është domethënëse”.
“Republika Sërpska është e përkushtuar ndaj kësaj lufte dhe mirëpret çdo bashkëpunim në këtë fushë”, tha Dodik.
Dodik pretendoi se entiteti serb nuk ka synime për t’u shkëputur nga Bosnja, por se “ka të drejtën e një lufte politike për statusin e saj, në përputhje me shkronjën e Marrëveshjes së Dejtonit”.
Me Marrëveshjen e Dejtonit të vitit 1995, që i ka dhënë fund luftës në Bosnje e Hercegovinë, ky vend është ndarë në dy entitete autonome – Federata e Bosnje e Hercegovinës dhe Republika Sërpska – plus Qarku i Bërçkos, që është njësi administrative vetëqeverisëse.
Të gjithë bashkë janë nën ombrellën e qeverisë federale dhe presidencës me rotacion.
“BeH është një bashkim i dy entiteteve të barabarta dhe tre popujve konstituiv, prandaj qëndrimi i zotit Burns se përgjegjësia për funksionimin e vendit bie mbi të gjitha komunitetet etnike është inkurajues,” tha Dodik.
Në mars të këtij viti, komuniteti i inteligjencës në SHBA në raportin e tij vjetor për kërcënimet në mbarë botën, në pjesën që ka të bëjë me BeH, përmendi emrin e Millorad Dodik.
“[Dodik] po ndërmerr hapa provokues për të neutralizuar monitorimin ndërkombëtar në Bosnje dhe Hercegovinë dhe për të siguruar shkëputjen de facto për Republikën Sërpska,” thuhej në dokument.
Pas Sarajevës, Burns pritet ta vizitojë edhe Beogradin.
Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se vizita në rajon e shefit të CIA-as tregon se Shtetet e Bashkuara kanë informacione të mjaftueshme për përpjekjet e Rusisë – përmes aleatit të saj, Serbisë – që Ballkani Perëndimor të jetë në rrezik për një konflikt të mundshëm.
Një ish-diplomat dhe ish-ambasador në Rusi, Burns është një figurë qendrore në administratën e presidentit amerikan, Joe Biden, pasi ai është gjithashtu anëtar i kabinetit presidencial të Shtëpisë së Bardhë.
Presidenti Biden e emëroi atë në pozicionin e drejtorit të CIA-s në janar 2021.
Burns u betua si drejtor i CIA-s në mars 2021, duke u bërë diplomati i parë në karrierë që shërbeu si drejtor. Presidenti Biden e promovoi atë në kabinet në qershor 2023./REL