Ballina Aktualitet Kryetari i sindikatës së policisë, Sadedin Fishta: Policët nuk kanë marrë lekët...

Kryetari i sindikatës së policisë, Sadedin Fishta: Policët nuk kanë marrë lekët e premtuara të ushqimeve

11
0

Shërbejnë 12 orë nën temperatura përvëluese, kilometrat e makinave të shërbimit i kanë me limit, u duhet të jenë në çdo protestë, koncert apo ndeshje. Këta janë efektivët e Policisë së shtetit, punonjësit më të keqtrajtuar në vendin tonë. Pasi pritën me muaj të tërë që të merrnin paratë e ushqimit, Ministria e Brendshme vendosi që të mos ua jepte bashkë me pagën, por si “tollona”, duke i detyruar të blinin ushqime në supermarkete, kreu i Sindikatës së Policisë, Sadedin Fishta thotë në një intervistë për gazetën “SOT”, se asnjë prej efektivëve nuk ka marrë asnjë lekë deri më sot. Sipas tij, policët përballen me vonesa të pagesave në lidhje me orët shtesë të punës dhe ngarkesë të jashtëzakonshme. Nga ana tjetër ai ka folur dhe për rritjen e rrogave të efektivëve. Gjithashtu ai komentoi dhe implikimin e policisë me krimin e organizuar.

-Zoti Fishta, krimi duket se është ulur ”këmbëkryq” në Shqipëri. 6 të vrarë dhe një i plagosur është bilanci i kësaj jave. A duhet të mbajë përgjegjësi ministri i Brendshëm, Drejtori i Policisë së Shtetit dhe zinxhiri drejtues?

Sigurisht pasi detyra e ministrit dhe e drejtorit janë detyra funksionale me ligj dhe kanë madje përgjegjësi direkte por sigurisht që përgjegjësia është ligjore por edhe morale. Në të dyja raste, është në të drejtën e tij të shprehet për rastin konkret si ai e koncepton por pavarësisht se i duhet kjo përgjegjësi duhet të mbështetet e të vij e të kërkohet edhe nga publiku, strukturat e organizatat dhe forcat politike.

-Prej muajsh flitet se Policia e Shtetit është inkriminuar, madje shumë drejtues të lartë dhe efektivë policie kanë dalë në përgjimet e “Encro Chat” dhe “SKY EÇ” që bashkëpunojmë me krimin e organizuar. Si mund të pastrohet policia nga personat e inkriminuar?

Kjo gjë nuk duhet të mbetet në kuadrin e fjalëve e informacioneve por duhet të konkretizohen në rrugë ligjore duke hapur procese të caktuar, qofshin penale ndaj personave të inkriminuar e njëkohësisht duke i bërë publik dhe me emra dhe duke kryer dhe veprimet e tjera në bazë të ligjit. Sepse dhe ligji e ka për personat të cilët humbasin performancën ose kanë probleme sepse funksioni që mbulojnë drejtues të caktuar të Policisë kërkojnë dhe kartë sigurie, e cila kërkon performancë të lartë dhe pastërti figure.

-Cilat janë sfidat kryesore me të cilat po përballen aktualisht anëtarët e sindikatës?

Në përgjithësi ka shumë probleme që përballen efektivët. Në radhë të parë është problemi financiar, sepse punonjësve të policisë iu premtua një vakti ushqimi nëpërmjet kartave që u pajisën punonjësit e policisë, për të blerë ose për ushqime. Kjo që u premtua që do të niste që prej muajit gusht, nuk ka nisur ende, është problem pasi është nisur prej janarit të këtij viti dhe as janë rimbursuar punonjësit e policisë. Një tjetër problem janë edhe vonesat e pagesave në lidhje me orët shtesë të punës dhe me ngarkesë të jashtëzakonshme. Këto pagesa një pjesë e punonjësve të policisë nuk i kanë marrë. Për sa kohë që dalin këto urdhra për miratim, duhet të plotësohen nga ana e qeverisë. Policia ka të tjera probleme, si p.sh., ligjin e ri të policisë që sapo doli.

Ligji i ri tashmë, iu mohon disa të drejta efektivëve, nga të drejtat që kishin më parë me ligjin e vjetër, që bëmë ne si sindikatë deri në Komision të Sigurisë edhe në Parlament. Ligji që sapo u shfuqizua, kishte një nen për sigurinë e jetës, ku tashmë ligji i ri nuk e ka. Ligji i ri e hoqi dhe ka vënë vetëm një nën ku thotë se në rast dëmtimi fizik, kjo gjë do të rregullohet me VKM. Nëse strukturat e tjera, si p.sh. zjarrfikëset apo ushtria, realizojnë sigurimin e jetës nëpërmjet tenderave për sigurimin kolektiv me kompanitë e sigurimeve, në rastet e plagosjes apo dëmtimeve për shkak të detyrës, këtë gjë Policia e bën nëpërmjet një VKM-je e cila duhet të dalë në mbështetje e zbatim të ligjit. Por ne e dimë shumë mirë që këto VKM dalin me shumë vonesë dhe të cunguara.

Ka patur dhe një nën tjetër në lidhje me trajtimin financiar, ka qenë pensioni i shërbimit, deri në momentin kur ligji do të shkonte në Parlament, ishte vendosur ky nen dhe në ligjin e sapo miratuar por çuditërisht ky nen u hoq fare dhe u la trajtimi financiar, u la vetëm me ato ligje që janë në fuqi, ligji për pensionin suplementar i parakohshëm dhe ligji për pensionin e pleqërisë. Edhe pse punonjësit e policisë do të shpresonin se në moshën 60-vjeç, një pjesë e mirë e tyre menduan se do të dilnin me dinjitet me kërkesën e tyre e do të dilnin në pension nga Policia duke iu lënë vendin të rinjve. Të ulet dhe mosha mesatare e konkurrimit në Polici.

Gjithashtu, me ligjin e ri në Polici, iu hoqën dy grada të nivelit zbatues, inspektori i parë dhe i dytë dhe u la vetëm me një gradë me ligjin e ri. Kjo gjë jo vetëm që rëndon mbi punonjësin e thjeshtë të policisë, por bën që iu mohohet perspektiva për ngritje në karrierë sepse përveç pengesave që hasin me ligjin, hasin dhe pengesa të tjera me urdhrat që nxjerrin dhe drejtuesit e policisë sepse iu vendosen kufizime te mesatarja në konkurrim nga pozicioni i patrullës së policisë për të konkurruar si oficer ose për të vazhduar shkollën e lartë për të kaluar në nivel tjetër të drejtuesit. Vihen kufizime të cilat janë ndesh me ligjet dhe sjell pasoja kufizuese si mesatarja. Të rinjtë që aplikojnë për patrullë policisë, iu vihet kriteri i moshës dhe si bëjnë 5 vite punë mesatarisht, kërkojnë rritje në karrierë por mosha bëhet kufizuese për të konkurruar në pozicione më lartë. Dhe si e tillë të rinjtë në Polici bëjnë kërkesë e largohen pasi iu mohohet e drejta për të konkurruar më lartë dhe më pas largohen.

-Cilat janë përpjekjet që sindikata ka bërë për të përmirësuar pagat dhe kushtet e punës për policët?

Ne si Sindikatë, kemi kërkuar vazhdimisht rritje të pagave dhe problemin e rritjeve të pagave e kemi trajtuar në të gjitha nivelet e ekzekutivit, nga drejtori i Përgjithshëm i cili nuk ka folur asnjëherë për rritje apo trajtim ndaj punonjësve të Policisë, nuk ka diskutuar edhe kur u bë diskutimi për projektligjin. Ne gjithashtu i jemi drejtuar edhe kryeministrit, na është premtuar edhe publikisht e thënë se efektivët do të trajtohen me paga dinjitoze edhe pse në çdo rritje të administratës, thuhet se sektori i Policisë duhet të jetë gjithmonë në përparësi. Në rastin konkret, u bë rritja ku shkoi në 900 mijë lekë në administratën publike, ndërsa në Polici rritje u bë vetëm për gradën inspektor, vetëm 8500 lekë. I shkoi paga 76000 lekë i shkoi paga një punonjësi të ri të sapo dalë nga bankat e shkollës, e ndërsa pagë neto merr vetëm 58000 mijë lekë.

-Si e vlerësoni bashkëpunimin ndërmjet sindikatës dhe qeverisë në adresimin e çështjeve të sigurisë dhe të drejtave të policëve?

Ne deri tani nuk shohim ndonjë gjë në kuptimin e mirë, pavarësisht se Kushtetuta dhe ligjet japin të drejtë që Sindikata të jetë partnerë në hartimin e drafteve, partnere në diskutimet në të gjitha por qëllimisht nuk ftohen pasi ne nuk do të jemi në të njëjtin mendim për trajtimin financiar. Ne kemi bërë dhe një studim dhe se sa para i nevojiten një punonjësi policie e ua kemi vënë në dukje qeverisë dhe organizatave ndërkombëtare në nivele të ndryshme në Polici që të përballojnë shpenzimet e nevojat. Pasi niveli i pagës ndikon në mënyrë direkte dhe në performancën e punës e si e tillë duke ndikuar edhe në nivelin e kriminalitetit në vend.

-Çfarë masash ka ndërmarrë sindikata për të mbrojtur të drejtat e policëve në raste abuzimi apo shqetësimeve të tjera?

Në lidhje me ligjin e ri do i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese pasi shumë nene bien ndesh me aktet që janë në fuqi dhe ne nuk u morëm në fuqi nga grupet e punës dhe që e hartuan dhe as nga Komisioni i Sigurisë, ku edhe pse i referuam vërejtjet tona edhe Parlamentit, ndaj jemi të detyruar që në shtator do i dërgojmë një pjesë të këtyre neneve që janë vendosur e të hiqen një pjesë prej tyre. Ata janë bërë pengesa, ku me ligjin e ri të policisë i heq Sindikatës të drejtën e tubimit. Kjo tregon vullnetin që ka qeveria në lidhje me bashkëpunimin me Sindikatat. Nga ana tjetër janë disa nene që kanë qenë më parë në ligjin e vjetër të Policisë dhe tani me ligjin e ri janë hequr duke i hequr më shumë të drejta policisë.