Efektivi i policisë, Erjon Goxhara ditën e sotme u la në masën e sigurisë “arrest me burg”, pasi plagosi me armë zjarri inxhinierin Lorenc Kosta.
Pas dëshmisë së bashkëshortes së Goxharës, që pranon tradhëtinë me Kostën, është zbardhur edhe dëshmia e djalit të efektivit.
Teksa ai shpjegon se si ka ndodhur ngjarja, zbulon detaje të reja ku thekson se pasi Erjon Goxhara është arratisur, i mituri është pritur nga daja i tij, Marsel Seferi.
Sipas dëshmisë së E. Goxhara edhe Marsel Seferi është punonjës policie. Ai ka treguar gjithashtu se mes dy prindërve të tij, kohëve të fundit ka pasur keqkuptime dhe debate të vazhdueshme.
Shtetasi E. Goxhara deklaron se:
Rreth orës 14:35 kur unë isha bërë gati për të dalë nga shtëpia dhe të shkoja në punë, mua më ka marrë në telefon sërish babai im dhe më ka thënë se kishte plagosur Lorencin me armë.
Unë e kam pyetur i revoltuar se përse e bëri. Ne kemi biseduar disa herë pas kësaj telefonate ku ai më ka thënë që të dilja te rrethi i Shkozës pasi ne do të shkonim në zonën e Freskut pasi atij i duhej të shkonte atje. Gjatë kohës që ne kemi komunikuar në telefon, unë kam vënë re që ai ishte në gjendje shumë të rënduar psikologjike dhe mua më u duk që ai gjatë tërë kohës ishte në panik.
Unë kam dalë në vendin ku ai më tha që ta prisja dhe gjatë rrugës që ai po vinte kemi komunikuar disa herë të tjera ku e pyesja se ku ishte dhe nëse ishte mirë. Pasi babi ka ardhur te rrethi i Shkozës në këmbë, ne kemi marrë një taksi dhe jemi nisur për në zonën e Freskut.
Kemi ndjekur rrugën nga rrugicat ku banon ish-presidenti Bamir Topi, kemi dalë te restorant Fresku dhe më pas kemi marrë rrugën për nga zona e thesarit në Fresk.
Gjatë rrugës, pasi dhe unë kam qenë shumë i tronditur nga çfarë kishte ndodhur, mesa mbaj mend babai im ka biseduar disa herë në telefon, mesa unë kuptova me drejtues policie të cilët e pyesnin se ku ai ndodhej, por babi u ka thënë që nuk ua tregonte se ku ndodhej.
Sapo ne kemi mbërritur te zona e thesarit të shtetit, kemi zbritur të dy nga taksia dhe shoferit të taksisë i tha të priste, kurse mua më tha që ta ndiqja nga pas.
Menjëherë në këtë moment sapo ne kemi zbritur, na janë afruar 2 punonjës policie të veshur civilë të cilët e kanë thirrur në emër babain tim Erjon dhe ai sapo i pa, u largua me vrap në drejtim të rrugicave të pallateve pranë thesarit duke u thënë këtyre personave që më mirë vras veten sesa të kalbem në burg. Këta persona e kanë thirrur: Erjon, hajde me ne, por babi u largua me vrap dhe këta të dy e kanë ndjekur me vrap nga pas.
Menjëherë pas kësaj, shoferi i taksisë u largua, kurse unë kam qëndruar në trotuar dhe nga një mjet tip BMW X5 ngjyrë e bardhë, mua më ka thirrur një person që të afrohesha, unë kam refuzuar dhe më pas nga kjo makinë ka zbritur dajua im i cili quhet Marsel Seferi dhe është punonjës policie në dijeninë time në Strukturat Operacionale të Policisë.
Ai më u afrua mua dhe më mori dhe së bashku ne hipëm në mjetin BMW X5 për të cilin, pasi e pyeta, ai më tha se është mjet i punës. Mua dajua pasi kam hipur në mjetin në fjalë më ka thënë se do të shkonim te Drejtoria e Policisë ku unë do të jepja deklarime për çfarë dija dhe se çfarë kishte ndodhur.
Pak a shumë ky është itinerari i lëvizjeve të mia sot dhe se çfarë ka ndodhur, unë kaq arrij të mbaj mend pasi jam dhe shumë i tronditur psikologjikisht nga e gjitha çfarë ka ndodhur. Ndër të tjera shtoi se midis prindërve të mi ka rreth një muaj që kanë lindur disa kontradikta dhe debate mosmarrëveshje.
Mesa unë kam kuptuar dhe kam dëgjuar, këto debate kanë lindur pasi im atë dyshonte se mamaja ime e tradhtonte atë me një koleg të punës.
Mamaja ime prej afro 5 vitesh punon si specialiste pranë ERE-s. Pasi im atë e ka provokuar në lidhje me një koleg të saj të quajtur Lorenc, mami ia ka pranuar babit që dyshimet që ai kishte në lidhje me Lorencin ishin të vërteta dhe se ajo e kishte tradhtuar.