Ballina Sport Guardiola “driblon” 115 akuzat ndaj skuadrës së tij

Guardiola “driblon” 115 akuzat ndaj skuadrës së tij

25
0

Vendimi që pritet në muajt e ardhshëm për shkeljet e supozuara të rregulloreve financiare të Premier League nga Manchester City nuk do të ndikojë në performancën e lojtarëve. Kështu u shpreh Pep Guardiola përpara ndeshjes në shtëpi të së shtunës kundër Ipswich Town.

Klubi nga “Etihad Stadium” u përball në shkurt 2023 me 115 akuza, që nga blerja e “City Football”, në pronësi të “Abu Dhabi United Group”. Manchester City mund të përballet me sanksione të tilla si zbritje pikësh ose rënie nga kategoria, nëse shpallet fajtor.

Nottingham Forest dhe Everton u penalizuan me zbritje pikësh në sezonin e kaluar për shkelje të rregullave të qëndrueshmërisë financiare. Manchester City i mohon akuzat dhe i kundërshton ato. Një komision i pavarur do të shqyrtojë akuzat, të cilat datojnë në vitin 2009. Guardiola thotë se Manchester City do ta pranojë vendimin.

“Times” shkruajti së fundi se seanca dëgjimore për rastin do të fillojë muajin e ardhshëm, ndërsa rezultati i gjyqit do të mësohet në fillim të vitit të ardhshëm. “Jam i lumtur që fillon së shpejti dhe shpresoj që të përfundojë sa më parë për të mirën e të gjithë neve, – u tha Guardiola gazetarëve. – Zbardhja e së vërtetës do të ishte mirë sidomos për klubin tonë, por edhe të gjitha klubet e tjera të Premier League.

Uroj nga zemra që të vijojë gjyqi dhe të ketë një gjykatë të pavarur, e përsëris një gjykatë e pavarur. Të merret vendimi sa më shpejt të jetë e mundur, të zbardhet ajo që ka ndodhur. Ne do ta pranojmë siç kemi bërë gjithmonë”.

Edhe me shqetësimet e vazhdueshme rreth klubit, Manchester City shtoi një titull të katërt radhazi në Premier League sezonin e kaluar, pasi fitoi tripletën historike në sezonin 2022-2023. I pyetur për efektin që mund të ketë ky gjyq në skuadrën e tij, Guardiola u përgjigj: “Jo, nuk do të ndikojë. Tashmë kemi tri ose katër vite që flasim për këtë. E dimë se do të ndodhë, e pranojmë dhe fokusohemi në ndeshjet tona”..